Arrestohet personi që qëlloi këshilltarin e Fatmir Limajt, kjo është gjendja e të plagosurit

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar lidhur me plagosjen e sotme në lagjen Veternik në Prishtinë.

I arrestuari, dyshohet se ka plagosur, Luan Malokun, këshilltarin i zëvendëskryeministrit në largim, Fatmir Limajt.

“Lidhur me rastin e plagosjes policia ka arrestuar një person të dyshuar. Po ashtu është konfiskuar një armë zjarri e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas policisë, i plagosuri është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku viktima ka një gjendje stabile.

“Sipas informacioneve te para nga tereni viktima i plagosur menjëherë është transportuar ne drejtim të QKUK’së, dhe gjendja shëndetësore sipas stafit mjekësor është stabile, jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Ahmeti.

I gjithë rasti ka ndodhur sonte në orët e mbrëmjes.

Ndërkohë, mediumi IndeksOnline, në një komunikatë, thotë se një gazetar i tyre është rrahur nga Endrit Shala i Nismës në QKUK në kohën kur interesohej për gjendjen e të plagosurit.