Arrestohen 7 persona, trafikonin të mitur dhe drogë

Policia e Korçës ka goditur një grup kriminal, duke vënë në pranga 7 persona dhe shpallur në kërkim një tjetër. Arrestimet janë bërë në kuadër të operacionit të koduar “Zereci”, pas një hetimit dy mujor.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar armë zjarri dhe të ftohta, municione luftarake, granata dore, vlera monetare (lekë, dollarë, euro) dhe bimë narkotike të dyshuara kanabis sativa. Konkretisht në pranga ka rënë shtetasi me inicialet  R.L, 33 vjeç, banues në Drithas, Maliq, i dënuar më parë në Greqi për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja me armë”, vepra penale këto të kryera në kuadrin e organizatës kriminale. Një ditë më parë Top Channel raportoi se në Qafë Plloçë të Pogradecit ishte arrestuar një i arratisur nga burgjet greke.

Të  arratisurit me inicialet R.L iu gjetën edhe dy granata e një pistoletë  dhe nga kontrolli në shtëpi rezultoi se ai kishte mbjellë edhe 1500 rrënjë hashashi. Gjithashtu mësohet se i arratisuri nga burgjet greke ka qenë i dënuar me burg të përjetshëm.

Ndërkohë personat e tjerë të arrestuar janë me inicialet M.F, 37 vjeç, banues në Kakaç, Maliq; E.B, 34 vjeç, banues në Petrushë, Pogradec; R.M, 29 vjeçe, banuese në Kakaç, Maliq;  E.K, 26 vjeç, banues në Zerec, Maliq;  O.M, 39 vjeç, banues në Zerec, Maliq dhe   Ç.F, 36 vjeç, banues në Kakaç, Maliq, i dënuar më parë për vjedhje për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga ana tjetër policia ka shpallur në kërkim  shtetasin L.P, 28 vjeç, banues në Shelcan, Elbasan.

Nga hetimet e kryera është provuar se shtetasit R.L, M.F, E.B, R.M dhe L.P, kishin planifikuar të trafikonin për qëllim prostitucioni në drejtim të Greqisë një shtetase të mitur.

Gjithashtu shtetasit R.L, M.F, E.K dhe O.M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë të dyshuara Cannabis Sativa, në territorin e fshatit Zerec, Maliq,  të cilat u asgjësuan gjatë operacionit dhe një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës material, raporton Top Channel.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar gjithashtu, 1 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë e ftohtë (thikë) e ngjashme me ato të Forcave të Ushtrisë, 2 granata dore ofensive dhe difensive, një sasi  fishekësh luftarakë, lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një sasi lekësh, dollarësh dhe eurosh, si edhe një automjet tip “Benz”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Korçë për hetime të mëtejshme.