Apostolova ia dorëzon Veselit Raportin e KE-së për Kosovën

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova ia ka dorëzuar sot Raportin e vitit 2019 për Kosovën nga Komisioni Evropian, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova është e përkushtuar dhe do të jetë e pakompromis në luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit. Ai tha se Kosova ka vetëm një drejtim, integrimin në Bashkimin Evropian.

“Presim që ky vit, zonja Apostolova, përmes jush si përfaqësuese, që edhe të rinjtë tanë, qytetarët e Republikës së Kosovës, përfundimisht me Komisionin e ri Evropian t’u njihet edhe e drejta legjitime që të lëvizin lirshëm në tokën të cilës i takojnë, në kontinentin e tyre Evropian”, tha Veseli.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se raporti është një reflektim i asaj se çfarë ka arritur Kosova në 12 muajt e fundit, teksa theksoi se duhet të punohet edhe më shumë.

“Siç edhe e kam potencuar, gota është gjysmë e mbushur sa i përket procesit të liberalizimit të vizave gjë që është shumë me rëndësi për qytetarët e Kosovës veçanërisht të rinjtë e Kosovës. Raporti ka një rekomandim të qartë. Komisioni dhe Parlamenti (Evropian), tashmë kanë propozuar liberalizimin e vizave, tani Komisioni kërkon që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës të ndërmarrin hapa sa më të shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë urgjente”, theksoi Apostolova.

Apostolova do t’ia dorëzoj të njëjtin raport edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në këtë raport, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike.

Raporti thekson se situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfiduese. Ndërsa sa i përket normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, thuhet se ka ende punë për t’u bërë në këtë aspekt, duke vënë në pah vendosjen e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina si problematikë për bashkëpunim rajonal.