Aktivitet për trajnimin e grave shqiptare nga mastershefja e njohur turke Ebru Baybara Demir

Në Tiranë është mbajtur aktiviteti me temë “Mësimi i kuzhinës turke”, ku u ndanë edhe certifikatat për gratë shqiptare që ishin pjesë e kursit mbi kulinarinë turke, të trajnuara nga mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri dhe shoqatave të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në aktivitetin ku u prezantuan edhe gatimet e realizuara gjatë kursit tha se do të vazhdojnë mbështetjen në kuadër të këtyre projekteve.

“Sot jemi grumbulluar të gjithë së bashku për të bërë përurimin e gjithë atyre produkteve të cilat janë gatuar nga nënat e fëmijëve jetimë shqiptarë. Në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen nga Ambasada e Republikës së Turqisë në Shqipëri, në bashkëpunim me të gjitha organizatat e tjera civile, si dhe fondacionet siç është Fondacioni ALSAR dhe në vijim të këtyre projekteve do të vazhdojmë që të mbështesim, të kontribuojmë edhe ne”, tha Yöruk.

Mastershefja e njohur turke, Ebru Baybara Demir, në fjalën e saj tha se ndihet e lumtur që është bërë pjesë e këtij projekti.

“Dua të falënderoj ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, si dhe bashkëshorten e tij Ayşegül Erdal Yörük, të cilët që nga fillimi i këtij projekti më kanë mbështetur dhe qëndruar pranë dhe njëkohësisht përfaqësojnë denjësisht shtetin e tyre dhe flamurin e tyre. Ndihem shumë krenare. E kam ndier veten si në shtëpinë time. Dua të falënderoj Fondacionin Turk Maarif dhe Qendrën Kulturore Turke ‘Yunus Emre'”, tha ajo.

Demir theksoi se “Duke parë pranë nesh dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Turqisë, nga 25 kursantë nëna që kemi pas në kursin e trajnimit tonë, 6 nga këto do të përzgjidhen dhe në të njëjtën kohë pas një periudhe dyjavore të gjashta do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë meje në mënyrë që ta plotësojnë formimin e tyre profesional në Turqi. Shpresoj që gjatë kohës që kam qëndruar këtu të kem lënë gjurmë për mirë, të kem lënë dhe kuzhinë tradicionale turke”.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, duke folur edhe për aktivitetet e fondacionit që ai drejton theksoi se “Sot është një ditë e veçantë pasi jemi duke realizuar një nga programet më speciale dhe të veçanta, që bëhet fjalë për kulinarinë e kuzhinës turke, diplomacia e gastronomisë e titulluar ndryshe”.

Aktiviteti “Mësimi i kuzhinës turke” u mbajt në kuadër të “Aktivitetit të diplomacisë gastronomike Turqi-Shqipëri”. 25 gra shqiptare, nëna të fëmijëve jetimë, që morën pjesë në trajnimet disaditore, të organizuara nga bashkëpunimi i Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe Fondacionit ALSAR, do të nisin punën në një restorant turk që do të ngrihet për to pas trajnimit, me qëllimin ndihmën ndaj tyre për të siguruar të ardhura.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, Instituti “Yunus Emre” Tiranë në bashkëpunim me Zyrën e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri organizuan aktivitetin “Diplomacia e Gastronomisë”, ku u prezantuan gatimet turke dhe ku Ebru Baybara Demir ndau me të pranishmit përvojën dhe projektet e saj.