A kaloi piku i pandemisë së Covid-19 në Shqipëri? Flet ekspertja e ISHP-së

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, gjatë përditësimit të të dhënave për ditën e sotme në Shqipëri, u shpreh se ende nuk ka kaluar piku i pandemisë.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, gjatë përditësimit të të dhënave për ditën e sotme në Shqipëri, u shpreh se ende nuk ka kaluar piku i pandemisë.

Megjithëse prej dy ditësh po regjistrohet një shifër e ulët të infektuarish me Covid-19, kjo nuk nënkupton se e kemi kaluar pikun e pandemisë.

Sipas Dervishit, në këto raste kemi të bëjmë me përhapje të virusit në grupe të caktuara dhe nuk kemi të bëjmë me përhapje në komunitet.

“Pavarësisht shifrave, nuk mund të themi se është piku, pasi kemi të bëjmë me një përhapje në klastera, apo grupe të caktuara, dhe nuk kemi të bëjmë me një përhapje në komunitet.”- u shpreh specialistja.

Gjithashtu, Dervishi u pyet lidhur me gjendjen shëndetësore të të burgosurve me Covid-19.

Ajo konfirmoi se gjendja e tyre është e stabilizuar.

“Gjendja e tyre është e stabilizuar dhe në monitorim të vazhdueshëm.”- u shpreh Dervishi.

Gjatë ditës së sotme, në vend u regjistruan 14 raste të reja me Covid-19, duke e çuar në 726 numrin e të infektuarve.

Fatkeqësisht, mëngjesin e sotëm u regjistrua viktima e 28-të për shkak të Covid-19 në Shqipëri, një 60-vjeçar nga Tirana që ndërroi jetë në spitalin “Shefqet Ndroqi”.