Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka konsideruar Shqipërinë si partnerin më strategjik që ka Kosova në rajon, gjatë një fjalë të mbajtur në aktivitetin e prezantimit në Tiranë të librit “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, me autor studiuesin Shaban Murati, raporton Anadolu Agency(AA).
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ambasadorë dhe ish-ambasadorë, studiues, si dhe përfaqësues të institucioneve të Shqipërisë.
Hoxhaj, duke folur për marrëdhëniet dhe raportet mes dy vendeve, tha se raporti i Kosovës me Shqipërinë nuk është një raport i politikës së jashtme, por është më shumë një politikë e brendshme.
“Shqipëria për ne në rajon është partneri më strategjik që kemi. Për Shqipërinë, Kosova është partneri ma i natyrshëm në rajon. Libri flet edhe për ngritjet, për fitoret afatgjata dhe dështimet afatshkurta që i ka pas Kosova nga Konferenca e Rambujesë, nga shpallja e pavarësisë, njohjet ndërkombëtare, nga anëtarësimi në organizatat të ndryshme rajonale, evropiane, globale i e deri në raportet tona me BE-në, SHBA-të, por edhe mungesa e raporteve të Kosovës me Serbinë, apo mungesa e raporteve të Kosovës me Rusinë”, tha Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, theksoi se konteksti ndërkombëtar i cili e ka lind Kosovën e lirë, konteksti që e ka lind Kosovën e pavarur dhe konteksti ndërkombëtar që ekziton në vitin 2018 nuk janë të njëjtë, ku sipas tij ka ndryshuar ky kontekst dhe korniza ndërkombëtare.
Në aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse edhe kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, fondacion i cili është botues i librit, i cili theksoi se ky bashkëpunim është vullnet i pastër për t’i ardhur në ndihmë çështjes kombëtare.
“’Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës’ botohet në një moment të nxehtë të debatit gati kombëtar mbi një nismë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Një sipërmarrje posaçërisht e presidentit të Kosovës, e cila ka hasur në rezistencë të fortë, në kundërshti të shprehur troç nga një masë e madhe njerëzish. Debati herë merr vrull, e herë humbet forcë, por është aty, sidoqoftë. Vepra në fjalë vlen fort për të kuptuar se ku ka çuar kalvari diplomatik i shtetit të ri të Kosovës”, tha Gurra.
Ndërkohë zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Tiranë do të takohet me zyrtare të lartë të Shqipërisë.