Me shumicë votash Komisioni kuvendor për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), ka dhënë dritë jeshile për të kaluar në Kuvend tre projektligje për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni pas një shpjegimi të shkurtër të deputetëve, me votën kundër të deputetëve të Listës Serbe, votoi projektligjet e Ministrisë së Mbrojtjes, për Forcat e Sigurisë të Kosovës dhe për shërbimin në FSK, të cilat nga mesi i shtatorit i kaloi Qeveria e Kosovës. Për transformimin e FSK-së në ushtri nevojiten ndryshime kushtetuese, por për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe nuk ka qenë e mundur të sigurohet shumica e dy të tretave në Kuvend, prandaj Qeveria e Kosovës vendosi për ndryshime ligjore.
Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerësoi se këto ligje janë të rëndësishme për Kosovën si shtet dhe për këtë shkak do të marrin votën e LDK-së në Kuvend.
“Nevoja jonë që këto ligje të miratohen është e padiskutueshme, edhe të miratohen edhe të përkrahen edhe të bëhen. Shpresojmë janë bërë konsultimet e tilla edhe me ata që na kanë ndihmuar dhe po na ndihmojnë vazhdimisht, flas për NATO-n dhe për SHBA-të veçmas”, tha Beqiri.
Fatmir Gjelili nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) theksoi se këto ligje janë fillimi i procesit të transformimit të FSK-së, proces që mund të zgjasë prej 8 deri në 10 vite. Ai theksoi se nuk ka nevojë për kurrfarë frike, meqë bëhet fjalë për një proces që do të zbatohet në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe vendet strategjike të cilat kanë ndihmuar dhe mbikëqyrur zhvillimin e FSK-së sipas standardeve të NATO-s.
“Përparësia e kësaj gjendjeje dhe kësaj situate është që jemi në një situatë të qetë, nuk ka kërcënime dhe rrezikshmëri për Kosovën. Besoj që në paqe do të vazhdojmë për të zhvilluar këtë forcë, forcë të armatosur, besoj që do të kemi mundësi me gjeneruar siguri dhe stabilitet edhe në rajon edhe më tutje”, tha Gjelili.
Deputeti i Listës Serbe, Zoran Mojsiloviç, tha se me shqyrtimin e ligjeve të propozuara qartë shihet se bëhet fjalë për transformimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës në Ushtrinë e Kosovës dhe se është shumë e habitshme për shkak se është në kundërshtim me rekomandimet e marra nga NATO gjatë vizitës së anëtarëve të Komisionit këtë vit në Bruksel.
“Për komunitetin serb, nga të gjitha strukturat e sigurisë ushtarake, KFOR-i është i vetmi i pranueshëm dhe komuniteti serb ka besimin më të lartë për KFOR-in. Prandaj, Lista Serbe nuk do të mbështesë këto ligje sepse ato tregojnë qartë se bëhet fjalë për transformimin në Ushtri të Kosovës”, tha Mojsiloviç.
Daut Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të ishte mirë nëse formimi i Ushtrisë së Kosovës do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe se ky detyrim do të përmbushet kur të krijohen kushtet për këtë.
Ligjet e propozuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë rolin e mbrojtjes së integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës. FSK-të gjithashtu bëhet “forcë ushtarake, multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në përputhje me mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor”, të cilët janë të autorizuar të përdorin forcën, armët e zjarrit, mjetet dhe pajisjet për të përmbushur kompetencat dhe detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore.