Zv/presidentja e Venezuelës: Jemi viktimë e agresionit të SHBA-ve

“Ka hapa që synojnë krijimin e grupeve të paligjshme ushtarake, në linjë me traditën amerikane të krijimit të grupeve terroriste dhe ekstremiste", tha Rodriguez

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, pas takimit në Moskë me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se vendi i saj është viktimë e një agresioni të shumëfishtë të SHBA-ve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dua që e gjithë bota të dëgjojë se Juan Guaido është një përfaqësues i zgjedhur në Parlamentin e Venezuelës me 7 mijë vota, i cili ishte i dyti edhe në rrethin e tij, mos të flasim për vendin. Dhe tani, ky burrë ecën rrugëve në shenjë proteste dhe deklaroi veten president të përkohshëm”, tha Rodriguez.

Rodriguez akuzoi Guaidon se bashkëpunon me qeveritë e huaja për të dëmtuar vendin e tij, si dhe për të sulmuar qeverinë legjitime dhe popillin. Ajo tha se Guaido është në kontakt të afërt me të dërguarin e SHBA-ve për Venezuelën, Elliott Abrams, një figurë që, siç tha ajo, është e mirënjohur për organizimin e grusht shteteve në vende tjera.

“Ka hapa që synojnë krijimin e grupeve të paligjshme ushtarake, në linjë me traditën amerikane të krijimit të grupeve terroriste dhe ekstremiste. E gjithë bota e di se ata e bëjnë këtë, nuk është sekret. SHBA mbështet grupe ekstremiste për të destabilizuar botën”, theksoi Rodriguez.

Lidhur me mungesën e vullnetit të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, për të mbajtur zgjedhje tjera presidenciale, sipas zv/presidentes Maduro mbron kushtetuën, “e cila thotë se nuk mund të ketë një votim të ri para vitit 2025”.

“Kjo është një grabitje e armatosur nga SHBA-të dhe Britania e Madhe”

Më tej, Rodriguez kritikoi ngrirjen e aseteve venezueliane nga SHBA-të dhe Britania, duke theksuar se “Venezuela do t’i mbrojë interesat e saj me anë të mjeteve ligjore”.

“Kjo është një grabitje e armatosur, ata vjedhin burimet tona financiare që Venezuela mund të përdorë për zgjidhjen e krizës humanitare”, u shpreh ajo.

Sipas saj, kriza në Venezuelë u shkaktua artificialisht për të krijuar një pretekst për ndëryrje ushtarake.

“Venezuela ka nevojë vetëm për një gjë, heqjen e bllokadës që pengon rrjedhën e gjithçkaje në vend”, tha ajo

“Rusia do të vazhdojë me mbështetjen për Venezuelën”

Ministri Lavrov, nga ana e tij, shprehu mbështetjen e plotë për Qeverinë e Venezuelës si dhe gatishmërinë për të marrë pjesë në dhënien e ndihmave humanitare.

Ai vlerësoi refuzimin e Brazilit dhe Kolumbisë për të siguruar territoret e tyre si një pikëmbështetjeje për ndërhyrjen e mundshme ushtarake në Venezuelë.

“Nëse ata mbajnë fjalën e tyre dhe i përmbahen këtij pozicioni, planet e SHBA-ve nuk do të zbatohen”, tha Lavrov.

Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pas votimit të bojkotuar nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Juan Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u shpall president i përkohshëm më 23 janar, një levizje që u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende evropiane dhe të Amerikës Latine.