Zv/kryeministri Limaj priti një delegacion të Këshillit të ministrave të Shqipërisë

Limaj me delegacionin shqiptar bisedoi për realizimin e marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive në mbledhjen e fundit të përbashkët të mbajtur në Pejë

Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili njëherit është edhe koordinator për mbikqyrje dhe zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka pritur sot në Qeverinë e Kosovës një delegacion të Këshillit të ministrave të Shqipërisë, në krye me ministrin e Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj dhe ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndonëse ishte paralajmëruar, pas takimit nuk është mbajtur konferencë për media, Limaj me delegacionin shqiptar bisedoi për realizimin e marrëveshjeve të arritura mes dy qeverive në mbledhjen e fundit të përbashkët të mbajtur në Pejë, në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Në mesin e nëntë marrëveshjeve që atëherë u nënshkruan janë edhe marrëveshja e përbashkët e kontrollit doganor në vendkalimin kufitar Morinë/Vërmic, marrëveshja e njohjes reciproke të patent shoferëve, borxhit publik dhe bashkëpunimit të përbashkët me organizatat financiare ndërkombëtare, për heqjen e roamingut, bashkëpunimit nga sfera e rinisë, dhe marrëveshja për bashkëpunim nga sfera e shëndetësisë.