Zotimi saudit për paqe në Lindjen e Mesme ul çmimet e naftës

"Arabia Saudite do të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të parandaluar çdo luftë, ndërsa dora e saj gjithmonë është e shtrirë në paqe", thuhet në një kumtesë të qeverisë së Rijadit

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë shënuar një ulje sot, në vazhdën e premtimit të Arabisë Saudite se do të promovojë paqen në Lindjen e Mesme për të paradaluar eskalime të konflikteve në rajon, përfshirë edhe mbështetjen për arritjen e një balanci në tregun global të naftës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar Brent, ka filluar tregtimin sot me 71.83 dollarë për fuçi, një ulje e çmimit nga 72.02 dollarë sa ishte një ditë më parë.

Ndërkohë, marka amerikane e naftës së papërpunuar West Texas Intermediate (WTI) shitet me 62.55 dollarë për fuçi, ndryshe nga 62.78 dollarë sa ishte të martën.

“Arabia Saudite do të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të parandaluar çdo luftë, ndërsa dora e saj gjithmonë është e shtrirë në paqe”, thuhet në një kumtesë të qeverisë së Rijadit, në të cilën theksohet se ajo “mbetet e angazhuar për arritjen e balancit në tregun e naftës dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

Furnizimi i sigurt i tregut global me naftë nga rajoni, ka qenë i rrezikuar, gjë e cila ka shtyrë lart çmimet e naftës. Dy tankerë nafte të Arabisë Saudite u sulmuan më 12 maj, pas çka pasoi sulmi me dronë më 14 maj mbi dy stacione për pompimin e naftës.

Ministri saudit i Energjetikës, Khalid al-Falih, tha të dielën se OPEC-u dhe aleatët janë pajtuar për të ulur “butësisht” në gjysmën e dytë të këtij viti, inventarët e naftës së papërpunuar, në mënyrë që të vazhdohet mbështetja e çmimeve duke vëzhguar situatën me furnizimin global të naftës.