Zoran Zaev: Procesi para shtetit është serioz

Anëtarët e Komitetit ekzekutiv njëzëri vendosën se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë duhet ta ndjekin “zërin e shumicës së mbi 600 mijë qytetarëve” dhe të marrin përgjegjësi të përshpejtojnë proceset për anëtarësim

Anëtarët e Komitetit ekzekutiv njëzëri vendosën se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë duhet ta ndjekin “zërin e shumicës së mbi 600 mijë qytetarëve” dhe të marrin përgjegjësi të përshpejtojnë proceset për anëtarësim.

Komiteti ekzekutiv i Lidhjes Social-demokratike të Maqedonisë (LSDM) qeveritare dhe Komiteti ekzekutiv i opozitës VMRO-DPMNE, ndaras kanë zhvilluar mbledhje të trupave të lartë partiak, ku diskutuan situatën politike në vend, si dhe definuan hapat e ardhshme pas këtij referendumi, raporton Anadolu Agency (AA).

“Procesi para shtetit është serioz. Ne do të përpiqemi me deputetët. Do të bëjmë gjithçka që mundemi. Ju e dini qëndrimin tonë, nuk do të tregoja detaje”, deklaroi kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pas takimit të Komitetit ekzekutiv të LSDM-së, duke paralajmëruar se më shumë detaje do të njoftohen përmes zyrës për shtyp të partisë së tij.

Nga Zyra për shtyp e LSDM-së theksuan se anëtarët e Komitetit ekzekutiv njëzëri vendosën se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë duhet ta ndjekin “zërin e shumicës së mbi 600 mijë qytetarëve” dhe të marrin përgjegjësi të përshpejtojnë proceset për anëtarësim të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE).

“Nëse kjo nuk është e mundur, nëse VMRO-DPMNE edhe më tej pengon të ardhmen e qytetarëve dhe shtyn vendin në humnerë, atëherë nuk ka alternativë tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në të cilat qytetarët do të vendosin për të ardhmen”, konkludoi Komiteti ekzekutiv i LSDM-së.

VMRO-DPMNE kërkon dorëheqjen e kryeministrit dhe “qeveri teknike”

Ndërkaq, opozita maqedonase në mbledhjen e sotme konkludoi se Marrëveshja e Prespës “politikisht është e vdekur dhe është fjalë boshe në letër”.

Përfundimet e partisë u shprehën nga nënkryetari i partisë, Aleksandar Nikolovski, i cili theksoi se VMRO-DPMNE nuk e njeh rezultatin e referendumit, sepse sipas tij, ai ishte një “proces kriminal”. Ai po ashtu theksoi se nëse kryeministri Zaev ka ndërmend të shpallë zgjedhje të parakohshme, paraprakisht duhet plotësuar disa kushte.

“Kërkojmë ta respektojë marëveshjen dhe sipas ligjit zgjedhor të formohet qeveri teknike prej 100 ditësh, sipas modelit të Marrëveshjes së Përzhinës. Zaev, (ministri i Brendshëm, Oliver) Spasovski dhe (ministrja e Politikës Sociale, Milla) Carevska të japin dorëheqje, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Politikës Sociale 100 ditë të jenë të VMRO-DPMNE-së”, tha Nikolovski.

I pyetur si do të reagojë partia e tij ndaj mbështetjes së komunitetit ndërkombëtar për marrëveshjen me Greqinë, veçanërisht nga partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, NIkolovski u përgjigj se, “Ne i respektojmë të gjitha mesazhet nga komuniteti ndërkombëtar. Besojmë se ato janë mesazhe miqësore që ia duan të mirën Maqedonisë. Nuk është problem komuniteti ndërkombëtar, as edhe VMRO-DPMNE-ja, këtu problem është Zoran Zaev dhe Nikolla Dimitrov (ministri i Jashtëm), të cilët nënshkruan një marrëveshje të dëmshme ndaj interesave të qytetarëve të Maqedonisë”.

Më 30 shtator, në Maqedoni u mbajt referendumi që synonte ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE). Jehona e votuesve arriti në 36,91 për qind, ku 91,46 për qind e tyre votuan “për”, ndërsa 5,56 votuan “kundër”.

Ndryshe, në mbrëmjen pas përfundimit të referendumit, kryeministri Zaev paralajmëroi se në dhjetë ditët e ardhshme do të përpiqen për të biseduar me deputetët, në mënyrë që të sigurohet dy e treta e votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese të parashikuara në Marrëveshjen për të zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë.

Për pranimin e Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë, parashihet ndryshimi i emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa pyetja në referendumin e 30 shtatorit ishte “A jeni për në BE dhe NATO me pranimin e Marrrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”.