Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pret që përmes debatit kushtetues të krijohet një atmosferë e favorshme e cila në mënyrë të natyrshme do të sigurojë një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e kryeministrit, u bënë në forumin e shoqërisë civile me temë “Përfshirja e shoqërisë civile në Procesin e Berlinit”, ku theksoi se ka arsye të mjaftueshme për të besuar se do të sigurohen dy të tretat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, por nuk mundi të konfirmojë nëse aktualisht një gjë e tillë është siguruar. Ai tha se personalisht ka biseduar me deputetët për t’i bindur të votojnë.
“Kam biseduar me deputetët ku pashë se ka një masë të konsiderueshme progresive që është një motiv serioz për të filluar procedurat, gjë të cilën mbrëmë e bëri qeveria. Shpresoj që këto ditë edhe Kuvendi të thirrë një seancë të komisionit kushtetues në mënyrë që të hap debatin”, tha Zaev.
Ai po ashtu theksoi se e ka patjetër të heq të gjitha spekulimet nga kokat e deputetëve, siç tha ai, “për para në disponim, për situata të palakmueshme ose të ngjajshme”.
Zaev u bëri thirrje deputetëve që të llogarisin përgjegjësinë historike që kanë para vetes.
Gjatë forumit në fjalë, kryeminstri maqedonas tha se nuk ka një plan B për vendin ose ndonjë alternativë, ndërsa për zgjedhjet e përfolura të parakohshme, tha se nuk dëshiron të diskutojë, sepse siç tha, Kuvendi është zgjidhja e duhur.
Dje zëdhënësi Mile Boshnjakovski, pas seancës së jashtëzakonshme qeveritare, bëri të ditur se Qeveria ka dorëzuar në Kuvend propozimin për qasje drejt ndryshimeve kushtetutese, i cili përmban udhëzime për ndryshim dhe plotësim të Kushtetutës së Maqedonisë.
Kujtojmë se pas mbajtjes së referendumit për marrëveshjen me Greqinë dhe integrimin e vendit në BE dhe NATO, qeveria dhe opozita dolën me qëndrime të ndryshme. Qeveria kërkoi që marrëveshja të ratifikohet në Parlament me dy të tretën e votave që aktualisht nuk e ka ose në të kundërtën zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare, ndërsa opozita nga ana tjetër kërkon të refuzohet marrëveshja me Greqinë ose të formohet qeveri teknike 100-ditore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Në referendumin konsultativ të 30 shtatorit pjesëmarrja në votim ishte 36,91 për qind, prej të cilëve “për” votuan 91,46 për qind, ndërsa “kundër” 5,65 për qind. Që referendumi të kalonte me sukses, sipas ligjit, nevojitej pjesëmarrja e mbi 50 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve.