Zoran Zaev: Përfaqësimin e komuniteteve pakicë do ta kemi në të gjitha institucionet

Zaev tha se në pjesën e selektimit të kandidatëve ai është udhëzuar nga të gjitha aspektet dhe theksoi se më e rëndësishme është cilësia e kandidatit dhe besimi i tij personal...

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, mandatar për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, ka dorëzuar në Kuvend propozim-programin e punës dhe përbërjes së re qeveritare të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast, para dorëzimit të propozim-programit kreu i LSDM-së u adresua në një konferencë për media para ndërtesës së Kuvendit, ku prezantoi propozimin e tij për qeverinë e re.

I pyetur nga gazetari i AA-së për të komentuar letrën e Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSITEB), ku shprehet pakënaqësi se në listën e ministrave në qeverinë e re nuk përfshihet asnjë anëtar i komunitetit turk në vend, Zaev tha se në pjesën e selektimit të kandidatëve ai është udhëzuar nga të gjitha aspektet dhe theksoi se më e rëndësishme është cilësia e kandidatit dhe besimi i tij personal që së bashku me të gjithë partnerët e koalicionit të përfitojmë në maksimum nga kjo.

“Përfaqësimi i komuniteteve etnike të vogla do të jetë i pranishëm në të gjitha institucionet, nga zv/ministra, sekretarë shtetërorë, udhëheqës të drejtorive të reja që do t’iu dedikohen problemeve konkrete, krerëve të institucioneve të mëdha serioze disa prej të cilave mbajnë përgjegjësi më të madhe se disa nga ministritë. Kështu që, përfaqësim i plotë, multietnik, siç jemi ngritur si shtet, natyrisht që do të ngulitet brenda vetë institucioneve”, tha Zaev.

I pyetur nëse kishte biseduar me dy deputetët e komunitetit turk të cilët janë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja, Zaev u përgjigj “sigurisht, të gjithë luftojnë për kandidatët e tyre, por jemi koalicion i 25 partive politike dhe kemi 19 ministra”.

“Besoj se në fund të ditës, ajo që tani për tani është marrëveshje e përgjithshme, do të jetë në përputhje edhe me deputetët e komunitetit turk, edhe të komunitetit serb, boshnjak, vlleh, rom dhe me të gjitha komunitetet tona pakicë në vend për të qenë të përfaqësuar në mënyrë adekuate. Tashmë do t’i shihni në pozicionet e zv/ministrave, në pozicionet e mbajtësve të posteve të larta të shtetit, si sekretarë shtetërorë, drejtorë të institucioneve të rëndësishme, në mënyrë që të kemi një integrim të barabartë”, theksoi Zaev.

Zaev shtoi se kur qeveria numëronte 27 persona së bashku me kryeministrin, atëherë ekzistonte një mundësi më e madhe për përfaqësim, por siç tha ai, përvoja ka treguar se postet ministrore nuk duhet të shpiken për të kënaqur një individ, por se qeveria ekziston për qytetarët. Ai shprehu bindje se formimi organizativ i qeverisë së propozuar do t’i shërbente më mirë të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.Zaev: Përfaqësimin e komuniteteve pakicë do ta kemi në të gjitha institucionet

Kujtojmë se Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke të Maqedonisë (MATÜSITEB) në një letër të hapur drejtuar kreut të LSDM-së dhe mandatarit të caktuar për qeverinë e re shprehu pakënaqësi për faktin se asnjë anëtar i komunitetit etnik turk nuk është në listën me emrat e ministrave që do të jenë pjesë e qeverisë.

“Fakti që turqit nuk janë të përfaqësuar në nivelin ministror në qeverinë e këtij vendi multifetar, multikulturor dhe multietnik shkakton ndjenja të përjashtimit dhe diskriminimit në mesin e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në letrën e MATÜSITEB-it.

Në letër thuhet se turqit në Maqedoninë e Veriut kanë një lidhje të fortë me këtë vend dhe janë një nga elementet themelore më të rëndësishme të këtij vendi.