Zgjedhjet në SHBA, Biden kalon në epërsi në Georgia

Pas azhurnimit të ri në rezultatet e zgjedhjeve, gara në këtë shtet, në të cilin Trump kryesonte me 1.267 nga dita e djeshme, tani duket se është kthyer në favor të Biden-it me një diferencë prej 917 votash

Kandidati demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në SHBA, ka kaluar në epërsi në shtetin Georgia, një nga shtetet kyçe që pritet të përcaktojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi në Washington Post, në Goergia, ku janë numëruar 98 për qind e votave, Biden ka siguruar 2.449.371 vota, ndërsa presidenti Donald Trump, kandidati i Partisë Republikane, ka fituar 2.448.454 vota.

Pas azhurnimit të ri në rezultatet e zgjedhjeve, gara në këtë shtet, në të cilin Trump kryesonte me 1.267 nga dita e djeshme, tani duket se është kthyer në favor të Biden-it me një diferencë prej 917 votash.

Numërimi i votave ende vazhdon në këtë shtet me 16 delegatë zgjedhës.

Megjithëse kanë kaluar dy ditë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, ende mbetet e pasigurt se cili kandidat ka fituar.

Sipas rezultateve të përkohshme në shtetet ku numërimi i votave ka përfunduar, ish-nënpresidenti Joe Biden, kandidat i Partisë Demokratike, ka fituar 253 delegatë, kurse presidenti Donald Trump ka 214 delegatë të Kolegjit Elektoral.

Kandidati që fiton shumicën e votave në një shtet fiton të gjithë delegatët, në varësi të popullsisë së atij shteti.

Që një kandidat të fitojë garën presidenciale, ai duhet të sigurojë të paktën 270 delegatë.

Rezultatet e zgjedhjeve janë ende të paqarta në shtetet Pennsylvania, Karolina e Veriut, Georgia, Arizona, Nevada dhe Alaska, të cilat përbëjnë gjithsej 71 delegatë. Trump aktualisht kryeson në Pennsylvania, Karolinën e Veriut dhe Alaska, ndërsa Biden është më afër fitores në Nevada, Arizona dhe Georgia.

Situata aktuale në favor të Biden-it

Nëse kandidatët që kryesojnë garën në gjashtë shtetet ku rezultatet nuk janë ende të qarta, atëherë Biden do të fitojë gjithsej 33 delegatë në Arizona, Nevada dhe Georgia, duke e rritur numrin e delegatëve në 286 dhe duke tejkaluar numrin minimal prej 270 delegatëve të nevojshëm për të fituar zgjedhjet.

Nëse Trump fiton në Pennsylvania, Karolinën e Veriut dhe Alaska, ku po kryeson garën, ai do të sigurojë 38 delegatë dhe do të arrijë shifrën 252, për të përfunduar i dyti.

Ndryshimi i rezultateve në shtetet e ku gara është e ngushtë mund të ndryshojë aritmetikën e delegatëve në favor të të dy kandidatëve.