Zgjedhjet e vitit 2018 në Itali kanë dy fitues. Lëvizjen e 5 yjeve, që bëhet partia e parë me 31 përqind të votave dhe Lega Nord e Mateo Salvinit, e cila siguron lidershipin e qendrës së djathtë. Koalicioni i Silvio Berluskonit është ai që grumbulloi më shumë vota, por jo aq sa nevojiten për shumicën.
Italia përballet tani me mundësinë e një Parlamenti të varur, ku asnjë prej koalicioneve apo partive nuk ka shumicën. Krijimi i qeverisë mund të kërkojë disa jave negociata e nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes se zgjedhjeve të reja për të prodhuar rezultate më bindëse.
“Çdo gjë do të ndryshojë”, është titulli i të përditshmes Il Fatto Quotidiano. Edhe pse asnjë parti nuk do të jetë në gjendje të qeverise, sipas të dhënave paraprake, fuqizimi i populistëve, të tillë si Lëvizja e Pesë Yjeve, është krahasuar me Brexit-in dhe fitoren e Donald Trump në SHBA. Partia që u themelua në vitin 2009 nga Bepe Grilo, ka shënuar fitore të rëndësishme dhe me 216 deri në 236 vende në Dhomën e Ulët mund të bëhet partia më e madhe.
Zemërimi publik per papunësinë edhe emigracionin fundosi Partinë Demokratike në pushtet. Koalicioni i qendrës së majtë ku bën pjesë partia, rezulton i treti me 107 deri ne 127 vende në Parlament.
Edhe sa i përket Senatit, të favorizuar janë populistët dhe Partitë e së djathtës. Lëvizja e 5 yjeve pati një rezultat më të kënaqshme nga ç’pritej me të dhënat paraprake që sugjerojnë se do të sigurojë deri në 112 vende në Senat. Koalicioni i qendrës së djathtë parashikohet të marrë nga 118 deri në 150 vende në Dhomën e Lartë ndërsa Partia Demokratike nga 42 deri ne 54 vende.