“Messi është një punë e përfunduar. Ai do të luajë në Arabinë Saudite sezonin e ardhshëm”, kështu shkruan agjencia e lajmeve AFP, duke cituar një burim të sigurt që njeh nga afër marrëveshjen.
Në artikullin dedikuar lojtarit argjentinas, AFP nuk përmend klubin ku do të transferohet pleshi, por përmend vetëm se kontrata do të jetë e jashtëzakonshme.
“Kontrata është e jashtëzakonshme. Është e madhe. Ne jemi duke finalizuar disa detaje të vogla”, shtoi burimi, i cili nuk është zyrtarisht i autorizuar të flasë për mediat.
I pyetur mbi këto deklarata, klubi aktual i Messit, Paris Saint-Germain thjesht vuri në dukje se ai mbetet nën kontratë deri më 30 qershor dhe nuk dha ndonjë detaj tjetër.
Nga burime brenda klubit për AFP nënvizohet se: “Nëse klubi do të kishte dashur të rinovonte kontratën e tij, do të ishte bërë më herët”.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se Messi do të firmos një kontratë nga ku do të përfitojë afro 400 milionë euro në vit, dyfishi i asaj që përfiton Ronaldo te rivalët e Al Nassr.