Zbulohet dora e FETO-s në sulmin kundër Ambasadës së SHBA-së

Policia e Turqisë ka zbuluar lidhje të organizatës terroriste gyleniste (FETO) në rastin e sulmit të armatosur kundër Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ankara...

Autoritetet turke vazhdojnë hetimet në lidhje me sulmin e armatosur të 20 gushtit (2018) kundër Ambasadës së SHBA-së në Ankara.

Tre presona janë arrestuar deri më tani në lidhje me këtë ngjarje.

Njëri prej të arrestuarve është edhe i dyshuari Ersin Bayram. Policia ka analizuar materialet digjitale të Bayramit dhe ka evidentuar një fotografi të tij me ish-ambasadorin amerikan në Turqi, John Bass, shkrepur në vitin 2015.

“Si pjesë e aktiviteteve të firmës që drejtoja asokohe, kam marrë pjesë si përfaqësues i z. Omer, një prej zyrtarëve të Dhomës Turko-Amerikane të Tregtisë me seli në Nju-Jork, në pritjen e organizuar prej tij në Ambasadën e SHBA-së, ku edhe jam fotografuar me Bassin”, ka thënë Ersin Bayrami në deponimin e lëshuar në polici.

Në raportin e përgatitur nga policia rreth kësaj çështjeje, theksohet se Dhoma Turko-Amerikane e Tregtisë është një OJQ e themeluar nga FETO-ja dhe se Bayrami siguronte burime financiare për organizatën duke vizituar esnafët dhe biznesmenët.

Kurse në kontrollin teknik që i është bërë telefonit të Bayramit, është zbuluar dhe proceduar në dosje se i dyshuari ka hyrë në shumë portale interneti të lidhura me FETO-n dhe ka mbajtur shënime në lidhje me institucionet arsimore të organizatës terroriste.

Në telefonin e Bayramit është gjetur po ashtu një fotografi e tij me anëtarë të organizatës në rezidencën e kryeterroristit të FETO-s në Pensilvani të SHBA-së.

Policia ka zbuluar mes të tjerash se i dyshuari Ersin Bayram, i cili ka rezultuar edhe punëdhënësi i Osman Gundasit, një prej dy të akuzuarve si autorë të sulmit, ka kërkuar në llogarinë e tij në “Twitter” fjalët “ambasada amerikane” menjëherë pas sulmit ndaj Ambasadës së SHBA-së në Ankara, ndërsa më pas ka arkivuar në telefon lajmet për kapjen e autorëve.

Gjatë marrjes në pyetje, Ersin Bayrami ka pohuar gjithashtu se ka lidhje me FETO-n dhe se është i abonuar në organet mediatike të organizatës.