Zaev: Shfrytëzimi i burimeve të energjisë së rinovueshme, prioritet strategjik i qeverisë

"Përdorimi i burimeve të energjisë së rinovueshme dhe zëvendësimi i qymyrit me gaz është një nga prioritet tona më të rëndësishme strategjike", tha Zaev

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev deklaroi se shfrytëzimi i burimeve të energjisë së rinoveshme dhe zëvendësimi i qymyrit me gaz është një nga prioritet më të rëndësishme strategjike të qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Zaev, kryetari i Bordit Drejtues dhe menaxheri i përgjithshëm i termocentraleve të Maqedonisë së Veriut (ESM), Vasko Kovaçevski dhe drejtori i Kombinatit të Energjisë Minerare (REK – Manastir), Zllatko Qurçievski sot mbajtën një konferencë për media në të cilën u adresua tranzicioni i energjisë dhe më pas u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve.

Duke theksuar se zbatimi i skenarit të gjelbër është më i pranueshmi për zhvillimin e vendit, Zaev tha se me këtë pritet të ofrohen përfitime ekonomike dhe mjedisore.

“Përdorimi i burimeve të energjisë së rinovueshme dhe zëvendësimi i qymyrit me gaz është një nga prioritet tona më të rëndësishme strategjike. Në këtë drejtim, ne jemi duke zhvilluar një plan strategjik serioz të energjisë dhe një nga pikat e Aksionit 21 (plani për standardet evropiane në vend) përveç mjedisit është dhe energjia”, tha Zaev.

Duke theksuar se në tre vitet e fundit, janë bërë investime intensive në gazifikimin e vendit, Zaev tha se janë planifikuar dhe zbatuar termocentrale fotovoltaike në tokë private dhe shtetërore.

Ai tha se do të krijohet një fond i efikasitetit të energjisë për zbatimin e projekteve ndërsa qëllimi është që në 5 vitet e ardhshme të hyjmë në një cikël investimesh që do të sigurojë që vendi të jetë më i gjelbër, por edhe më racional dhe efikas në sektorin e energjisë.

Në konferencën për media, kryetari i Bordit Drejtues dhe menaxheri i përgjithshëm i termocentraleve të Maqedonisë së Veriut (ESM), Vasko Kovaçevski theksoi se angazhimi i Qeverisë dhe ESM në aspektin e energjisë mbetet skenari i gjelbër dhe se ata janë të vendosur për të vazhduar në këtë drejtim.

“Prodhimi i energjisë elektrike me emetim sa më të ulët të gazrave është qëllimi afatgjatë për të cilin po punojmë tani. Jemi duke investuar përmes të gjitha projekteve tona”, tha Kovaçevski.

Drejtori i Kombinatit të Energjisë Minerare (REK – Manastir), Qurçievski rikujtoi se në vitin 2022 REK Manastir do të shënojë jubileun e rëndësishëm prej 40 vjetësh nga fillimi i funksionimit.

Duke theksuar se filluan me prokurimin e makinerive të tyre për minierat e REK Manastir, ai tha se kompania nënshkroi 16 kontrata me 5 kompani për prokurimin e 36 makinerive dhe kamionëve.

I pyetur nga gazetarët nëse është e mundur të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend, kryeministri Zaev konfirmoi se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse zgjedhjet e parakohshme nuk do t’i sjellin asgjë të mirë vendit.

Lidhur me faktin nëse është i gatshëm të shtyjë regjistrimin e popullsisë për disa muaj me iniciativën e tij, Zaev tha se për të gjitha çështjet e rëndësishme në vend është e rëndësishme të ketë një konsensus midis palëve, por se regjistrimi është i domosdoshëm.

“Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka pasur regjistrim për 20 vjet. Ne punojmë këtu në qeveri, në komuna, në institucione, në ndërmarrjet në mjegull, në errësirë, nuk i dimë numrat. Regjistrimi do të realizohet nga 1 deri më 21 prill. Në verë, askush askund nuk bën regjistrim. Në shtator pastaj fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale ndërsa në tetor do të mbahen zgjedhjet lokale”, tha kryeministri Zaev.