Zaev deri te Tsipras: Bashkë me popujt tanë shkruam një fitore historike

"Urime miku im Alexis Tsipras. Bashkë me popujt tanë shkruam një fitore historike. Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës. Të jenë të përjetshme paqja dhe përparimi i Ballkanit edhe në Evropë", shkruan Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i ka shkruar një letër urimi homologut të tij grek, Alexis Tsipras, në të cilën shfaq kënaqësinë e tij të theksuar me rastin e ratifikimit të “Marrëveshjes së Prespës” në Parlamentin e Greqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Falenderimi i kryeministrit Zaev është bërë përmes rrjeteve sociale, ku ai uron kryeministrin grek për votimin e suksesshëm.

“Urime miku im Alexis Tsipras. Bashkë me popujt tanë shkruam një fitore historike. Qoftë e përjetshme Marrëveshja e Prespës. Të jenë të përjetshme paqja dhe përparimi i Ballkanit edhe në Evropë”, shkruan kryeministri Zaev.

Më herët gjatë ditës, Parlamenti i Greqisë ratifikoi marrëveshjen e arritur me Maqedoninë, e cila zgjidh “çështjen e emrit” që zgjati 28 vite mes dy vendeve.

“Marrëveshja e Prespës”, e cila parashikon ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, fillimisht u diskutua në parlamentin me 300 ulëse, nga të cilët 153 deputetë votuan në favor të saj dhe 146 u shprehën “kundër”, ndërkohë që një deputet abstenoi.