Vuçiç: Pa Listën Serbe nuk ka qeveri të re në Kosovë

Duke iu referuar faktit që qeveria e re nuk është formuar ende në Kosovë, Vuçiç ka thënë se është e rëndësishme që Lista Serbe të jetë unike.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar edhe njëherë se nuk do të ketë qeveri të re në Kosovë nëse nuk përfshihet dhe Lista Serbe. Duke iu referuar faktit që qeveria e re nuk është formuar ende në Kosovë, Vuçiç ka thënë se është e rëndësishme që Lista Serbe të jetë unike.

“Është e rëndësishme që Lista Serbe të jetë unike dhe është e qartë se pa ta nuk ka qeveri në Kosovë”.

Ndër të tjera Vuçiç foli edhe për taksën, ku tha se qeveria e re duhet të heqë taksën ndaj mallrave serbe, raporton Zëri info.

“Do të thoshte normalizim i jetës dhe padyshim rezultate ekonomike më të mira. Nëse nuk do të kishin tarifa ne do të ishim shteti i dytë ose i tretë me rritjen ekonomike, për këtë arsye jemi në vendin e gjashtë. Shpresoj që kjo qeveri të formohet”, ka thënë Vuçiç për RTS.

Disa javë më parë u themelua dhe legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës, por ende nuk është formuar qeveria e re. Negociatat deri më sot kanë dështuar, pasi LDK ka kërkuar që të marrë kreun e Kuvendit, Presidentin dhe 5 ministri, pra gjysmën e kabinetit. Pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar Kuvendi, LDK u tërhoq nga marrja e këtij posti dhe shprehu gatishmërinë për një marrëveshje të re, duke kërkuar sërish 5 ministri dhe Presidentin. Ndërsa Kurti në ofertën e tij më të fundit kërkon që të shtohen edhe 2 ministri, nga 12 sa ishin rënë dakord më parë, tani të bëhen 14 ministri, ku 6 ministri do t’i ketë LDK, 5 LVV dhe 3 minoritetet.