Vuçiç: Mendojmë se e kemi emrin e vrasësit të Ivanoviçit

"Ne jemi duke punuar shumë seriozisht, mendojmë se kemi emrin e vrasësit, ndërsa shqiptarët nuk e kanë", tha Vuçiç në një konferencë për media në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sot deklaroi se mendon se organet kompetente serbe kanë emrin e vrasësit të liderit të Nismës Qytetare SDP Oliver Ivanoviç dhe se Milan Radojiçiç nuk ka marrë pjesë në këtë vrasje në asnjë mënyrë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi duke punuar shumë seriozisht, mendojmë se kemi emrin e vrasësit, ndërsa shqiptarët nuk e kanë”, tha Vuçiç në një konferencë për media në Beograd.

Ai tha se Milan Radojiçiç “nuk është lule”, por se “ai sigurisht nuk ka marrë pjesë në likuidimin e Oliver Ivanoviçit në asnjë mënyrë”.

“Ne kemi historinë e plotë rreth asaj se kush është vrasësi dhe me çfarë motivi e ka bërë atë”, tha Vuçiç duke shtuar se për shkak të gjërave të ndryshme, defektet në analizën dhe pamjet e ADN-së, autoritetet shtetërore serbe nuk mund të kenë dëshmi materiale, por do të vazhdojnë të punojnë rreth rastit.

Vuçiç gjithashtu pyeti edhe bashkësinë ndërkombëtare se përse pamjet më të rëndësishme që ka regjistruar krimin nuk i është dorëzuar Serbisë, ndërsa nën pretekstin se “mbikëqyrja nuk është bërë për atë kohë”.

Duke folur për situatën në Kosovë, e krijuar pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për mallrat nga Serbia, Vuçiç tha se është komplekse dhe shprehu “admirim për popullin serb në Kosovë”.

“Shteti serb do të jetë me ta dhe nuk do të lejojmë të jenë të uritur. E jona është të thërrasim Prishtinën që të sillet në mënyrë të civilizuar dhe të lejojë që populli ynë të ketë zgjedhje, ndërsa unë e përgëzoj popullin tonë, duke treguar guximin serb dhe mbrojtjen e lirisë në mënyrë paqësore, me metoda gandiane”, shtoi ai.

Presidenti serb gjithashtu vlerësoi se veprimi për vendosjen e taksës mbi mallrat nga Serbia dhe, siç tha ai, duke parandaluar dërgimin e mallrave në popullatën serbe, Prishtina e ka nisur me qëllimin kyç për të marrë veriun dhe për t’i dëbuar serbët nga pjesa tjetër e Kosovës dhe se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare po merr pjesë në këtë ose “heshtja kalon mbi këtë”.

“Disa e bëjnë këtë sepse shpresojnë dhe besojnë se është e mundur që shqiptarët të zgjidhin dhe të përfundojnë problemin me serbët dhe Serbinë dhe t’i lirojnë ata nga kokëdhimbja në të ardhmen. Disa sepse janë që nga fillimi në atë salcë. Ata këtë qull e gatuan dhe tani nuk mund të dalin prej saj. Ndërsa tani e shohin se foshnja e tyre nuk i dëgjon si më parë”, tha presidenti serb.

Vuçiç tha se vendosja e taksës prej 100 për qind në fakt do të thotë ndalimi i tregtisë, ndërsa gjithashtu tha se shqiptarët ndërkohë konfiskuan 16 kamionë me mall dhe arrestuan shoferët të cilët po përpiqeshin të ofronin rrugë alternative në veri të Kosovës.