Vuçiç- Crnadak: Taksat e vendosura nga Kosova janë shkelje e CEFTA-s

Vuçiç dhe Crnadak në takim përshëndetën deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Pompeo në të cilën u bën thirrje autoriteteve të Prishtinës që të heqin taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH-së

Vendosja e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina është shkelje e qartë e CEFTA-s dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), prandaj është e nevojshme që të dy vendet të vazhdojnë me aktivitete të koordinuara për të shfuqizuar taksat, u dakorduan presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ministri i Punëve të Jashtme i BeH-së Igor Crnadak në Beograd, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftohet nga Presidenca e Serbisë, Vuçiç dhe Crnadak në takim përshëndetën deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në të cilën u bën thirrje autoriteteve të Prishtinës që të heqin taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH-së.

Presidenti Vuçiç shprehu mirënjohjen për votimin e fundit “kundër” nga ana e BeH-së në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit mbi pranimin e Kosovës. Ai theksoi se cilësia e marrëdhënieve të përgjithshme kontribuon me mbështetjen reciproke në procesin e integrimit evropian, njoftoi kabineti i Vuçiçit.

Presidenti serb theksoi se Serbia është e përkushtuar për një bashkëpunim të mirë dhe aktiv me fqinjët e saj, si dhe për mbështetjen e integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës, me respekt të qartë për Marrëveshjen e Dejtonit dhe respektin për interesat dhe integritetin e Republikës Sërpska.