Voltana Ademi: A do kandidoj në zgjedhje? Unë bëj atë që vendos PD

Voltana Ademi foli për mundësinë e rikandidimit për Bashkinë e Shkodrës, situatën kriminale dhe Vllazninë...

Kriza politike vazhdon të jetë e thelluar dhe palët janë ende shumë larg njëra-tjetrës. Partia Demokratike kërkon zgjedhje politike të parakohshme, por më 30 qershor janë programuar zgjedhjet vendore.

E pyetur në “I Ftuari” me Endri Xhafon, në televizionin A2 CNN nëse do të rikandidojë në Shkodër, edhe nëse PD merr vendimin politik për të mos u futur në zgjedhje, Voltana Ademi tha:

“Të gjithë ne kryetarët e bashkive jemi politikë dhe duke qenë të tillë përfaqësojmë partinë. Unë jam e angazhuar herët në politikë. PD dhe unë bashkë me të, ka deklaruar që në zgjedhje vendore nuk mund të kemi me situatën e krijuar. Zgjedhje nuk mund të kemi”.

Përveç protestave të vazhdueshme, PD vazhdon paralelisht të punojë për të ngritur grupet e punës dhe kandidatët për zgjedhjet vendore. “Emrat e kandidatëve nuk janë diskutimi i PD. Ne diskutojmë çështje më madhore, përtej datës, përtej gjithçkaje. Ne diskutojmë çështjet e zgjedhjeve që janë prioritare përpara çdo gjëje. Kriza politike duhet të marrë një zgjidhje. Unë implementoj atë që vendos Partia Demokratike në forumet e saj”.

“Ne marrim zero fonde nga Qeveria, sepse Bashkia Shkodër nuk iu paguan përqindje drejtuesve, zëvendësministrave, ministrave. Ky është biznesi, një ekonomi informale, korrupsioni. Bashkia Shkodër nuk funksionon kështu, por kemi indikacione që ka korrupsion në ndarjen e fondeve publike”, u shpreh Ademi. “Unë nuk e bëj, por në Shqipëri, sistemi i korrupsionit kur bëhet fjalë për përdorimin e parave publike është shumë i lartë”.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, iu rikthye edhe një herë debatit që pati më 1 prill me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, gjatë një takimi për prezantimin e Prefektit të ri të qarkut. Ademi u shpreh se ngjarja e fundit në Shkodër, ku u vranë dy vëllezërit Bilali, mund të ishte parandaluar, pasi në qytet po vriteshin njerëz të pafajshëm. “Mendoj që ishte më e pakta që mund të thosha. Gjeta një moment dhe me qetësi dhe shumë korrektesë e përgjegjshmëri, sepse dikush duhet të flasë. Ishte e vlefshme që të paraqisja një shqetësim qytetar”, tha Ademi.

“Ajo që më shqetësoi janë pikëpyetjet lidhur me përgjegjshmërinë mbi atë që ndodh, që nuk vihet re. Më ka vrarë shumë deklarata e ministrit, prandaj kam thënë se nuk mund ta lëmë situatën të precipitojë drejt larjes së hesapeve”, shtoi ajo.

Kryetarja e Bashkisë konfirmoi se në qytet ka presion dhe këtë e kanë ndjerë edhe drejtuesit lokalë. “Nuk ka ndodhur që brenda gjashtë muajsh të kemi dhjetëra ndryshime drejtuesish pa shkak. Kjo që po them, në Shkodër e dinë të gjithë. Për këtë duhet të marrin hapat e veta, Policia, Prokuroria dhe Gjykata. Edhe unë vetë nga politika ndjehem e kërcënuar përditë, mjafton të shohësh deklaratat edhe të Kryeministrit. Pushteti vendor nuk funksionon si ishull më vete, por pjesë e administratës shtetërore”, u shpreh Ademi.

Klubi i Vllaznisë administrohet në masën 100% nga Bashkia Shkodër dhe pas një sezoni të vështirë në Kategorinë e Parë, është pranë rikthimit në Superiore. Por për shkak të kërcënimeve, trajneri i sapoemëruar Agim Canaj, ka lënë skuadrën dhe prej dy ditësh tashmë nuk shvillohet stërvitja.

Sipas kryetares të Bashkisë Voltana Ademi, kjo vjen edhe për shkak të presionit politik. “Fakti që ne po rritemi dhe po përgatitemi për të qenë konkurrues, për shkak se Vllaznia është e Shkodrës”, u shpreh Ademi.

“Besoj që me kalimin e kohës do të mund të tregohet për vështirësitë që klubi ka pasur, do të kuptohet që interesa politike dhe kriminale kanë diktuar edhe mungesën e performancës, duke filluar nga drejtuesit e deri tek ata që luajnë në fushë”, shtoi ajo.

Kryetarja e Bashkisë pranoi se ka kërkuar rinisjen e procedurave për privatizimin e klubit, pasi nuk e kishte bërë këtë gjatë kohës që skuadra ishte në Kategorinë e Parë, për të shmangur keqkuptimet se ulja e performancës ishte bërë për të ulur çmimin e aksioneve. “Nuk doja që të kishte aludime dhe nuk e kam shtyrë këtë për sa kohë që ishim në Kategorinë e Parë. Vllaznia është ndoshta i vetmi klub i formalizuar sipas ligjit në Shqipëri. Ka disa detyrime por është ndër klubet më të shëndosha në aspektin financiar”.