Vlorë, Bashkia rrit me 143 për qind çmimin e ujit

Rritet më shumë se dyfish fatura e ujit për të gjithë qytetarët e Bashkisë së Vlorës

Rritet më shumë se dyfish fatura e ujit për të gjithë qytetarët e Bashkisë së Vlorës. Këshilltarët bashkiakë miratuan dje vetëm me votat e së majtës rritjen me rreth 143 për qind të çmimit për Vlorën, Novoselën dhe Orikumin, aq sa ishte propozuar nga Ujësjellësi. Sipas këtij vendimi, nga 30 lekë për metër kub që ishte më parë, çmimi tashmë do të shkojë në 70 lekë. Vendimi do t’i kalojë Entit Rregullator të Ujit për të marrë fuqi zbatuese.

Në termat e faturës në fund të muajit që do të duhet të paguajë një familje, me këtë rritje, nëse paguanin deri te 1 mijë lekë të reja, tashmë ajo do ta kalojë dyfishin e saj. Ujësjellësi i Vlorës e ka argumentuar këtë rritje të ndjeshme me çmimin e rritur të energjisë elektrike, por dhe me uljen e të ardhurave pas përfundimit të fazës së pajisjes me matëse të ujit për qytetarët

Propozimi në fund u miratua me 22 vota pro të së majtës. Ndërsa 10 këshilltarët votuan kundër e një tjetër ka abstenuar. Votat pro ishin të këshilltarëve të majtë, ndërsa ato kundër të këshilltarëve të djathtë, kurse një përfaqësues i LSI-së preferoi të abstenonte, edhe pse vota e tij nuk do të kishte aspak ndikim në vendimmarrje. Këshilltarët e djathtë kundërshtuan rritje e çmimit të ujit duke thënë se, do të ndikojë në xhepat e qytetarëve. Atird Hoxha, këshilltar i PD-së shprehet se, kemi mbi dyfishim të çmimit, pasi nga 30 lekë për metër kub shkon në 70 lekë.

“Nuk ka asnjë mundësi që Enti Rregullator të mos e miratojë. Entit do t’i shkojë rritja e çmimit dhe natyrisht ashtu do të veprojë. Pra, do ta lërë në vlerën e miratuar nga Këshilli i Bashkisë së Vlorës. Ne kemi qenë kundër dhe kështu mbetemi, duke mos votuar pro rritjes së çmimit”, shprehet Hoxha. Ndërsa për argumentet e përdorura për rritjen e çmimit, ai deklaron se, mungesa e të ardhurave mund të ishte rregulluar me uljen e shpenzimeve për administratën, shkruan Panorama.

“Në buxhetin e Ujësjellësit, 28 për qind është vetëm për sigurime shoqërore apo paga dhe të ardhura për administratën. Kjo shifër sikur të ulej, atëherë nuk do të ishte e nevojshme të rritej çmimi i ujit”, theksoi Hoxha. Sipas tij, kjo është një rritje që ndikon te xhepat e qytetarëve të thjeshtë. “Dua të denoncoj edhe një tjetër abuzim të Ujësjellësit. Administratës së Arsimit i kërkohet një vërtetim që nuk ka detyrime ndaj Ujësjellësit. Dhe këtë vërtetim duhet ta paguajnë me 200 lekë të reja. Kontrata është individuale dhe nuk mund t’i kërkosh askujt në administratë një vërtetim të tillë, pasi jo të gjithë janë kryefamiljarë dhe kanë një kontratë me Ujësjellësin”, përfundoi ai./