Vladimir Putin përmes një bisede telefonike uron presidentin Erdoğan

Putin është shprehur se Erdoğan ka marrë një mbështetje të gjerë për shkak të zgjidhjeve të ofruara në çështjet socio-ekonomike që ndodhen para Turqisë si dhe për qasjen në forcimin e politikës së jashtme të vendit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë zhvilluar një bisedë telefonike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Presidencës së Turqisë mësohet se presidenti i Federatës Ruse, Putin, i ka shprehur urimet presidentit Erdoğan për suksesin e arritur në zgjedhjet e 24 qershorit.

Dy liderët në bisedë kanë konfirmuar vendosmërinë në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë.

Po ashtu dy liderët kanë vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Rusisë në çështjet rajonale, kryesisht mbi Sirinë.

Ndërkohë, më herët në një deklarate me shkrim, të lëshuar nga Kremlini, u njoftua se presidenti rus i ka dërguar presidentit turk edhe një mesazh urimi për rizgjedhjen e tij si president dhe për fitoren e arritur të AK Partisë.

“Bashkëpunimi ruso-turk përparon drejt sigurimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Euroazi”

Në mesazhin e tij Putin ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve tregojnë plotësisht autoritetin politik të presidentit Erdoğan.

Po ashtu në mesazhin e tij Putin është shprehur se Erdoğan ka marrë një mbështetje të gjerë për shkak të zgjidhjeve të ofruara në çështjet socio-ekonomike që ndodhen para Turqisë si dhe për qasjen në forcimin e politikës së jashtme të vendit.

Duke vënë në dukje se është i kënaqur nga natyra progresive e zhvillimit të marrëdhënieve të partneritetit ruso-turk, i cili ka arritur në një nivel strategjik, Putin theksoi se është i gatshëm për bashkëpunimin e afërt në agjendën bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare si dhe vazhdimin e një dialogu kuptimplotë.

Ndër të tjera Putin ka bërë të ditur se ky bashkëpunim po përparon drejt sigurimit të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Euroazi, dhe se kjo i përgjigjet interesave themelore të popullit rus dhe turk.