Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është adresuar qytetarëve të Kosovës nëpërmjet një videomesazhi pasi ka marrë zyrtarisht detyrën nga e cila dha dorëheqje presidenti Hashim Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara ndaj tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Osmani tha se është e vetëdijshme se veprimet e Dhomave të Specializuara janë rrjedhojë e obligimeve shtetërore të cilat Kosova i ka pranuar, por, proceset që vijnë pas “nuk do ta dëmtojnë projektin tonë kombëtar për liri i cili është ndërtuar mbi sakrificën e brezave të tërë dhe gjakun e derdhur të ushtrisë tonë çlirimtare”.
Ajo tha se detyrën e re do ta ushtrojë me maturi dhe përgjegjësi të lartë institucionale, teksa nënvizoi se “shteti forcohet kur përballet me sfida”.
“Kjo kohë kërkon lidership të fuqishëm dhe përgjigje të unifikuar shtetërore. Sot, kur vendi ynë përballet edhe me pandeminë, ne kemi nevojë për solidaritet dhe mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin. Si ushtruese e detyrës së presidentes, do të fokusohem që funksionin tim ta ushtroj duke i promovuar pikërisht këto vlera”, ka thënë Osmani.
Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se gjatë rrugëtimit të saj, do të angazhohet çdo ditë që Kosova të bëhet shtet ku ëndrrat e qytetarëve të jetësohen dhe zëri i saj të “bashkëngjitet me zërin e qytetarëve”.
Angazhimi i Kosovës për shtet ligjor, sipas Osmanit, i ka sjellë vendit sfida, por pavarësisht kësaj, Kosova ka qëndruar e fortë në besim, teksa vlerësoi se “e kemi ruajtur këtë shpresë e këtë besim edhe kur kemi qenë viktimë e një agresioni të rëndë”.
“Serbia ka vrarë mbi 13 mijë njerëz në Kosovë, 1.133 prej tyre ishin fëmijë, më së shumti në të gjitha luftërat e zhvilluara në hapësirën e ish-Jugosllavisë për kokë banori. Paqja e qëndrueshme në rajon prandaj kërkon që viktimat dhe agresorët të mos barazohen. Ne shqiptarët e Kosovës kemi qenë viktimë e hegjemonisë të një shteti gjenocidal, kurse Serbia ishte shteti që kreu këto krime. Këtë duhet ta themi çdo herë, me zë të lartë, këtu e në çdo vend tjetër”, shtoi Osmani.
Kushtetuta e Kosovës parasheh që “Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, në këtë rast nga Vjosa Osmani “nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”, ndërsa mandati i presidentit Thaçi përfundon në prill të vitit 2021.
Presidenti Thaçi sot dha dorëheqje nga posti i tij pas konfirmimit të aktakuzës së Dhomave të Specializuara, për, siç tha ai, “të mbrojtur integritetin e Presidencës të Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare”.
Në fund të qershorit, Zyra e Prokurorit të Specializuara i ka paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzë ku presidenti Thaçi akuzohet “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura” gjatë luftës së fundit në Kosovë.