Vitin e ardhshëm rindërtohen tregjet e Prishtinës

Tregjet e komunës së Prishtinës janë në gjendje të mjerueshme që nga paslufta.

Tregjet e komunës së Prishtinës janë në gjendje të mjerueshme që nga paslufta. Por, nënkryetari i Komunës Selim Pacolli thotë se gjatë vitit të ardhshëm, më në fund do të fillohet me rindërtimin e tregjeve. Së pari do të fillohet me rindërtimin e dy tregjeve të pemëve e perimeve, e më pas edhe të tregut të kafshëve si dhe tregut të automjeteve. Por, para të gjithëve pritet të hapet një treg i prodhimeve vendore, theksoi Pacolli.

“Ne si komunë pretendojmë shpejt të ofrojmë një treg ekskluzivisht për produkte vendore, ku secili qytetar që interesohet për produkte vendore ta dijë adresën e duhur.”

Pacolli tha se vendi i tregut të produkteve vendore ende nuk është përcaktuar. Ai kumtoi edhe një lajm të mirë, ashtu siç tha vet ai.

“Është një lajm i mirë që në tri vitet e ardhshme Komuna e Prishtinës ka ndarë një fond prej 1,5 milionë euro ekskluzivisht për mbështetjen e fermerëve të sektorit të bujqësisë”, tha Pacolli.

Ndryshe, komuna e Prishtinës të enjten ka hapur një Panair treditor të prodhimeve vendore, por që nga qytetarë u vlerësua si një panair i zbehtë dhe shumë i vogël./TRT