Viktor Orban: Siguria e Hungarisë është e lidhur drejtpërdrejt me Turqinë

Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Recep Tayyip Erdogan, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin e tij, kryeministri hungarez bëri fjalë me lëvdata për Turqinë.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban bëri të ditur se siguria e vendit të tij është e lidhur drejtpërdrejt me Turqinë.

Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Recep Tayyip Erdogan, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin e tij, kryeministri hungarez tha se “Siguria e Hungarisë është e lidhur drejtpërdrejt me Turqinë. Një qeveri e qëndrueshme në krye të Turqisë është garancë e sigurisë së Hungarisë. Turqia ndodhet në rrugën e migrimit ashtu sikurse Hungaria. Stabiliteti i Turqisë, i cili mundëson vendosjen e paqes në rajon, dhe aftësia për të parandaluar migrimin e paligjshëm janë shumë të rëndësishme për ne”.

Orban gjithashtu tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e marrëveshjes së migrimit të arritur mes Turqisë dhe BE-së dhe vijoi me këto fjalë: “Ne duhet të bashkëpunojmë me Turqinë. Ne duhet ta përgëzojmë atë për hapjen e dyerve të saj për miliona refugjatë. Marrëveshja e Turqisë me Evropën ka rëndësi të veçantë për kontinentin e vjetër”.

Shefi i qeverisë hungareze në mes tjerash bëri të ditur se ekonomia turke është njëra prej ekonomive më të mëdha në botë, ndërsa vijoi duke thënë që “Ekonomia hungareze nuk mund të neglizhojë synimin e Turqisë për të hyrë në mesin e dhjetë ekonomive më të mëdha të botës”./TRT