Viktor Orban: Është në interesin tonë që Turqia të ketë një drejtues dhe sistem të fuqishëm

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi të premten se një Turqi me drejtues dhe sistem të fuqishëm është edhe në interesin e vendit të tij...

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, deklaroi të premten se një Turqi me drejtues dhe sistem të fuqishëm është edhe në interesin e vendit të tij.

Gjatë fjalimit të përjavshëm në “Kossuth Radio”, një prej organeve të medias shtetërore hungareze, Viktor Orbani vlerësoi vizitën zyrtare që Presidenti Recep Tayyip Erdogan realizoi në Hungari më 8-9 tetor.

Duke tërhequr vëmendjen mbi influencën e madhe të Berlinit (Gjermani), Moskës (Rusi) dhe Stambollit (Turqi) në rajonin e Evropës Qendrore, ku bën pjesë edhe Hungaria, si përgjatë historisë ashtu edhe sot, shefi i Budapestit zyrtar theksoi se është me shumë rëndësi që vendi i tij të ketë marrëdhënie të mira me tri shtetet në fjalë.

Pasi vuri në pah se shumica e rreth 4 milionë refugjatëve të strehuar ende në Turqi do të mbërrinin brenda disa ditëve në kufirin Serbi-Hungari nëse Ankaraja do t’u lejonte kalimin, Orbani nënvizoi se siguria e vendit të tij është drejtpërsëdrejti e lidhur me politikat që ndjek Turqia për emigrantët.

“Është në interesin tonë që Turqia të ketë një drejtues dhe sistem të fuqishëm”, shtoi ai.

Viktor Orbani tha gjithashtu se Hungaria nuk i miraton leksionet për demokraci që shtetet e Evropës Perëndimore japin për vendet e tjera, pasi asnjë rezultat nuk është arritur as kur këtë gjë e kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që konsiderohen pioniere në këtë fushë./TRT