Vetingu në politikë, dëgjesë me përfaqësues të botës universitare

 Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot dëgjesë me përfaqësues të jetës universitare për vetingun në politikë, të cilët shprehen shqetësimin për tendencën e ndryshimeve të shpeshta në Kushtetutë.

Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot dëgjesë me përfaqësues të jetës universitare për vetingun në politikë, të cilët shprehen shqetësimin për tendencën e ndryshimeve të shpeshta në Kushtetutë.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilluan ditën e sotme një seancë dëgjimore me përfaqësues nga bota akademike. Dëgjesa zhvillohej në kuadër të shqyrtimit të projektligjit për vetingun në politikë, nismë e deputetëve të opozitës. Kjo ishte dëgjesa e dytë radhazi, që Këshilli dhe Komisioni zhvillojnë në vijim të shqyrtimit të projektligjit në fjalë.

Të pranishëm në dëgjesë ishin përfaqësues nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës; Universiteti Europian i Tiranës; Kolegji Universitar “Luarasi”; Universiteti “Marin Barleti”; Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë; Universiteti i New York-ut në Tiranë; Kolegji Universitar “Wisdom” dhe Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisje.

Deputeti i PD-së, Luçiano Boci, shprehu në fjalën e tij shqetësimin për numrin e ulët të përfaqësuesve të universiteteve, që ishin pjesëmarrës në dëgjesë: “Ka një paragjykim nga shoqëria, sepse është një lloj demonstrimi i një konkluzioni logjik, pasi dihet tashmë që mazhoranca është shprehur që parimisht nuk e pranon vetingun politik as në formë, as në përmbajtje e as në ndryshime kushtetuese e ligjore”.

Po ashtu, Boçi theksoi se Partia Demokratike, përmes kërkesës për ndryshime kushtetuese që mundësojnë vetingun e politikës, i përgjigjet thirrjes dhe kërkesës së shoqërisë.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi theksoi se nuk ka zvarritje nga Kuvendi.

“Kuvendi ka procedura strikte sipas Kushtetutës dhe Rregullores së vet. Jemi duke i zbatuar. Është vlerësim për nismëtarët që komisioni mblidhet në mënyrë periodike, sipas Rregullores së Kuvendit, Kushtetutës, praktikave më të mira që ka Kuvendi kur bëhen ndryshimet kushtetuese, veç këtyre i jemi drejtuar dhe Komisionit të Venecias. Nuk ka as zvarritje, por nuk duhet të ketë as ngutje në rastin e ndryshimeve kushtetuese”, – ishte përgjigja e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për shqetësimin e ngritur nga Boçi.

Në fund, të gjithë pedagogët shfaqën shqetësimin e tendencës për ndryshime të shpeshta kushtetuese, duke sugjeruar gjetjen e zgjidhjeve alternative përmes ligjeve të posaçme, duke qenë se Kushtetuta vetë i lejon hapësirat për zgjidhje të tilla. /ASTH