Veprimet e Rusisë tregojnë se sanksionet nuk mjaftojnë, deklaron Zelenskiy

“Këtë mëngjes jemi të vetëm në mbrojtjen e vendit tonë, ashtu siç ishim dje. Fuqitë e mëdha po vështrojnë në distancë. A e kanë bindur Rusinë sanksionet e djeshme? Ne po e shohim në qiejt dhe e ndjejmë nën këmbë se ato (sanksionet) nuk mjaftojnë”.

Këto ishin fjalët që përdori Presidenti Ukrainës Volodymyr Zelenskiy mëngjesin e së premtes për të përshkruar vazhdimin e sulmeve nga Rusia.

Zelenskiy tha se bota po vëzhgon atë që po ndodh në Ukrainë, ndërkohë që Kievi dhe qytete të tjera goditen me raketa në orët e para të së premtes.

Duke iu drejtuar rusëve në fund të fjalës së tij, presidenti ukrainas tha se bombardimi i Kievit sjell ndër mend sulmet e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Të kujton vitin 1941”, tha Zelenskiy.

“Të gjithë qytetarët e Federatës ruse që dolën dje në protesta, dua t’iu them: Ne ju shohim. Kjo do të thotë që po na dëgjoni. Kjo do të thotë që keni nisur të na besoni. Luftoni për ne, luftoni kundër kësaj lufte”.

Një zyrtar i lartë i Ukrainës tha se të premten forcat ruse do të mësyjnë në zonat përreth Kievit.