Vendet e Amerikës së Veriut nënshkruajnë marrëveshje të re tregtare në vend të NAFTA-s

Presidentët Donald Trump, Enrique Pena-Nieto dhe Justin Trudeau nënshkruan Marrëveshjen SHBA-Meksikë-Kanada (UMSCA) për të zëvendësuar Marrëveshjen 25-vjeçare të Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, e njohur si NAFTA

Liderët e Kanadasë, Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) sot nënshkruan një marrëveshje të rishikuar të tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut në kuadër të samitit të G20-tës në Argjentinë, e cila do të përfshijë më shumë se 1,2 trilionë dollarë në tregtinë rajonale, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentët Donald Trump, Enrique Pena-Nieto dhe Justin Trudeau nënshkruan Marrëveshjen SHBA-Meksikë-Kanada (UMSCA) për të zëvendësuar Marrëveshjen 25-vjeçare të Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, e njohur si NAFTA.

Trump e përshëndeti marrëveshjen, duke e cilësuar si “një nga marrëveshjet më të rëndësishme dhe më të mëdha në SHBA dhe historinë botërore” përmes një postimi në Twitter menjëherë pas ceremonisë së nënshkrimit.

“Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja kanë punuar shumë mirë së bashku në përpilimin e këtij dokumenti të madh. NAFTA e tmerrshme së shpejti do të zhduket. USMCA do të jetë fantastike për të gjithë”, tha Trump.

Megjithatë, e ardhmja e marrëveshjes nuk është e sigurt, pasi ajo duhet të miratohet nga legjislativi i çdo vendi dhe në SHBA, në veçanti, demokratët në Kongres kanë shprehur shqetësime lidhur me mbrojtjen që ajo ofron për punën dhe mjedisin.

Teksa Trump foli pozitivisht për marrëveshjen gjatë ceremonisë së nënshkrimit, kryeministri kanadez Trudeau përsëriti thirrjet e tij që Trump të heqë tarifat e çelikut dhe aluminit ndaj Kanadasë.

Ndërkaq, në ditën e tij të fundit në detyrë, Pena Nieto tha se marrëveshja i avancon vendet drejt integrimit më të madh.

“Përpilimi i një marrëveshjeje të re tregtare synonte të ruante pikëpamjen e një Amerike të Veriut të integruar me bindjen e fortë se së bashku jemi më të fortë dhe më konkurrues”, tha ai.