Ukraina do të vendosë kufizime për qytetarët rusë

"Qytetarëve rusë do t'u vendosim kufizime dhe mendoj se është plotësisht e drejtë", tha Poroshenko, duke i paralajmëruar rusët në vend

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko tha se për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës në vendin e tij nuk do të zbatohet ndonjë kufizim ndaj shtetasve ukrainas, por për qytetarët rusë do të vendosen kufizime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Poroshenko në një deklaratë me shkrim nga Twitteri, i bëri thirrje popullit që të ruajë gjakftohtësinë pas shpaljes së gjendjes së luftës. “Mos nxitoni nëpër markete për të blerë krip dhe shkrepëse. Nuk do të vendoset ndonjë kufizim mbi paratë në banka, transaksionet e këmbimit valutor ose udhëtimeve jashtë vendit për ukrainasit”, shkroi ai.

“Qytetarëve rusë do t’u vendosim kufizime dhe mendoj se është plotësisht e drejtë”, tha Poroshenko, duke i paralajmëruar rusët në vend.

Ukraina ka shpallur gjendjen e luftës pasi anijet luftarake ruse hapën zjarr ndaj tre anijeve të Marinës ukrainase, të cilat u përpoqën të kalonin nga Deti i Zi në Detin Azov përmes kalimit Kerç.