UEFA dënon Federatën e Futbollit të Malit të Zi me 15 mijë euro

Komisioni disiplinor i UEFA-s dënoi me 10 mijë euro Federatën e Futbollit të Malit të Zi për përleshjen e tifozëve të Malit të Zi me tifozët e nikoqirëve, ndërsa për gjuajtjet në drejtim të tifozëve kundërshtarë u dënuan me 5 mijë euro

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka gjobitur me 15 mijë euro Federatën e Futbollit të Malit të Zi për shkak të incidenteve të tifozëve në ndeshjen me Kosovën, e cila u luajt në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni disiplinor i UEFA-s dënoi me dhjetë mijë euro Federatën e Futbollit të Malit të Zi për përleshjen e tifozëve të Malit të Zi me tifozët e nikoqirëve, ndërsa për gjuajtjet në drejtim të tifozëve kundërshtarë u dënuan me pesë mijë euro.

Kjo nuk është gjoba e parë me të cilën UEFA dënon Federatën e Futbollit të Malit të Zi për shkak të incidenteve në stadiume.

Ajo më së rrepti u dënua për brohoritjet raciste të grupit të tifozëve kundër Anglisë në ndeshjen në Podgoricë. Për këtë, ndeshja e radhës me përfaqësuesen e Kosovës u luajt me tribunë të zbrazur, ndërkohë që federata u gjobit me 20 mijë euro për përdorim të mjeteve piroteknike, hedhjen e mjeteve në fushë dhe bllokimin e kalimeve në tribunën e stadiumit të qytetit.

Përfaqësuesja e Malit të Zi në vitin 2015 kundër Lihtenshtajnit luajti pa spektatorë si rezultat i ndërprerjes së ndeshjes me Rusinë, kur me një fishekzjarr nga tribuna u godit portieri i skuadrës mysafire Igor Akinfejev.