“Turqia tregon bujari të pabesueshme për refugjatët sirianë”

Duke iu referuar mbi 3.5 milionë refugjatëve sirianë të strehuar në vend, Gutu tha se "Unë jam i sigurtë se kjo vlerësohet shumë nga vetë refugjatët dhe komuniteti ndërkombëtar"

Sipas një përfaqësuesi të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), Turqia tregoi një “bujari të pabesueshme” për sirianët në vend.

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), përfaqësuesi i organizatës FAO në Turqi, Viorel Gutu, tha se Turqia tregon bujari të pabesueshme ndaj refugjatëve sirianë dhe “ne të gjithë e dimë se Turqia strehon mbi 3.5 milionë refugjatë në vend”.

“Ky është numri më i madh i refugjatëve të strehuar nga ndonjë vend”, u shpreh Gutu.

Duke deklaruar se FAO po ashtu dëshironte të jetë pjesë e saj duke ndihmuar qeverinë turke në përpjekjet për strehimin e refugjatëve, Gutu tha se “Unë jam i sigurtë se kjo vlerësohet shumë nga vetë refugjatët dhe komuniteti ndërkombëtar”.

Gutu tha se FAO dhe qeveria turke kanë shumë vite partneritet në fusha të ndryshme, të tilla si bujqësia, pylltaria, siguria ushqimore dhe ndryshimet klimatike.

“Ne krijojmë programe së bashku. Ne zbatojmë programe brenda dhe jashtë Turqisë”, theksoi ai.

– Punësimi i sirianëve

Më tej, Gutu tha se FAO po ashtu ofron edhe mundësi për punësim të sirianëve në fushat që lidhen me bujqësinë dhe pylltarinë.

“Sot kemi disa projekte që përqendrohen në trajnimin profesional dhe zhvillimin e talenteve të refugjatëve sirianë”, tha Gutu, duke shtuar se ato ofrojnë edhe trajnime për turqit, të cilët janë komuniteti pritës.

“Ne kemi arritur të ndërtojmë një serë dhe të zbulojmë mundësi për refugjatët sirianë për të mësuar, për të punuar dhe për të nxjerrë bukën me përpjekjet e tyre”, tha ai, duke iu referuar projektit të fundit FAO-Turqi për refugjatët sirianë që jetojnë në strehim të përkohshëm në provincën jugore turke, Osmaniye.

Projekti u mundësoi refugjatëve një serë 8 mijë metër katrorë, e cila u ofron atyre të kultivojnë perimet e tyre pas trajnimit që morën.

“Në të vërtetë, ky projekt u zbatua me burimet e organizatës FAO dhe me ekspertizën teknike të organizatës”, u shpreh Gutu.

Ai shtoi se në serë u arrit teknologjia e lartë, produktiviteti dhe kënaqësia.

Fatma Baldirbuyuk, një refugjate siriane që erdhi në Turqi nga Lattakia dy vite më parë, për AA tha se ajo mori trajnimin për serë.

“Unë jam amvise dhe nuk kam pasur asnjë punë deri më sot. Falë këtij trajnimi tani kam një punë”, tha ajo.

Siria ka qenë e bllokuar nga një luftë e egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit u përplas me protestuesit në një trazirë të papritur.

Sipas zyrtarëve të OKB-së, që atëherë, qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe mbi 10 milionë sirianë janë zhvendosur.