Turqia ofron për Irakun kredi prej 5 miliardë dollarë

"Kemi bërë zotimi më të madh ndaj Irakut", tha Çavuşoğlu në një takim të organizuar nga Bashkia Beyoglu në Stamboll, ku shpalosi informacionin se vendi i tij do t’i japë Irakut një kredi prej pesë miliardë dollarë

Turqia do t’i japë kredi Irakut rreth 5 miliardë dollarë, para të cilat do të përdoren për rindërtimin e Irakut, tha sot ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kemi bërë zotimin më të madh ndaj Irakut”, tha Çavuşoğlu në një takim të organizuar nga Bashkia Beyoglu në Stamboll, ku shpalosi informacionin se vendi i tij do t’i japë Irakut një kredi prej pesë miliardë dollarë.

“Tashmë kemi filluar koordinimin e këtyre punëve, rreth rindërtimit të Irakut”, shtoi kryediplomati i Turqisë.

Kryediplomati turk tha se së shpejti do të vizitojë kryeqytetin Bagdadin, si dhe Erbilin, që është kryeqyteti i qeverisë rajonale kurde, për të shtuar se pas zgjedhjeve lokale në Turqi të parashikuara për 31 mars, Irakun do ta vizitojë edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

Në vitin 2017, Iraku ishte importuesi i katërt më i madh i prodhimeve turke, flasin të dhënat e Ministrisë së Jashtme, sipas të cilës vendi pret që vëllimi i tregtisë të arrijë mbi 12 miliardë dollarë gjatë viteve të ardhshme.

Në verën e vitit 2014, DEASH-i pushtoi pjesën më të madhe të Irakut verior dhe atij perëndimor.

Pas një lufte trevjeçare, në fund të vitit 2017 qeveria irakiane deklaroi se prania ushtarake e DEASH-it në Irak ka përfunduar.