Turqia i ofron ndihmë Australisë për shuarjen e zjarreve

Australia po përballet me zjarre vdekjeprurëse që vlerësohet se kanë vrarë 1,25 miliardë kafshë dhe kanë djegur një sipërfaqe prej mbi 20 milionë hektarësh

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, zhvilloi një bisedë telefonike me homogen e tij australiane, Marise Payne, ku kanë diskutuar në lidhje me zjarret që kanë përfshirë Australinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve diplomatike, kryediplomatët kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në lidhje me zjarret që prekën qindra shtëpi dhe ndërtesa.

Nuk janë dhënë detaje të tjera në lidhje me bisedën telefonike.

Ndërkohë, përmes një postimi në Twitter, Çavuşoğlu shprehu mbështetjen e Turqisë për Australinë.

“Mikesha ime e dashur Marise Payne, bashkë me popullin turk jemi thellë të brengosur për zjarret në vendin tuaj të bukur. Ndajmë me gjithë zemër dhimbjen tuaj. Qëndrojmë të gatshëm të ofrojmë të gjithë ndihmën e kërkuar për t’u ballafaquar me këtë fatkeqësi shkatërruese”, tha Çavuşoğlu.

Australia po përballet me zjarre vdekjeprurëse që vlerësohet se kanë vrarë 1,25 miliardë kafshë dhe kanë djegur një sipërfaqe prej mbi 20 milionë hektarësh.

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën përderisa luftonin me flakët e mëdha që shpërthyen gushtin e kaluar, duke shkaktuar dëme prej miliona dollarësh.

Uellsi i Ri Jugor dhe Australia e Jugut ishin rajonet më të prekura, ndërsa qeveritë lokale shpallën gjendje të jashtëzakonshme dhe mbyllën shkollat për të shmangur viktimat.