Turqia dënon tolerancën e drejtësisë greke ndaj Dimitris Kufodinas

Turqia dënoi ashpër pranimin për herë të tretë nga Greqia të kërkesës për leje 48-orëshe nga burgu ku vuan dënimin Dimitris Kufodinas, një pjesëtar i organizatës terroriste “17 Nëntori”, e cila ka vrarë shumë njerëz, përfshi edhe diplomatë turq.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy iu përgjigj me shkrim një pyetjeje në lidhje me pranimin për të tretën herë të kërkesës së pjesëtarit të organizatës terroriste “17 Nëntori”, Dimitris Kufodinas për të dalë nga burgu me leje 48-orëshe.

Duke iu referuar veprimit të autoriteteve greke, të cilat i kanë dhënë leje për herë të tretë anëtarit të organizatës terroriste “17 Nëntori”, të dënuarit Kufodinas, për të dalë dy ditë nga burgu, zëdhënësi Aksoy tha se ky person është autori i vrasjes në vitin 1991 të Atasheut të Medias në Ambasadën e Turqisë në Athinë, Çetin Görgü dhe i atentatit ndaj Këshilltarit të Ambasadës Deniz Bölükbaşı, po ashtu edhe pjesë e grupit që në vitin 1994 vrau zëvendësshefin e Misionit turk në Athinë Haluk Sipahioğlu, dhe për këto krime ai është dënuar me burgim të përjetshëm.

“Ne dënojmë me forcë njohjen për të tretën herë të drejtën e përdorimit të lejes Kufodinasit, e drejtë që atij i është njohur edhe dy herë të tjera më parë. Kjo ngjarje na i ka përforcuar hezitimet tona mbi funksionimin e sistemit gjyqësor në Greqi. Toleranca e treguar në këtë mënyrë ndaj një terroristi, që i ka duart të lyera me gjak është mungesë respekti ndaj kujtimit të diplomatëve tanë që kanë rënë në krye të detyrës dhe familjeve të tyre. Është e papranueshme që një terrorist i pabesë, i cili ka cenuar jetën e diplomatëve tanë, të cilët e përfaqësojnë me dinjitet shtetin tonë jashtë, të përfitojë nga rregullime të tilla ligjore”,- shkruan zëdhënësi Aksoy në përgjigjen e tij me shkrim.

Gjithashtu Aksoy i fton autoritetet greke të mos ndërmarrin hapa të tillë, që do të dobësonin luftën kundër terrorizmit, dhe të përmbushin detyrimet e tyre në dënimin e terroristëve.