Turqi-Rusi ndërmarrin hapa të rëndësishëm në Siri

“Hapat që do të ndërmarrë Turqia në Siri, në veçanti me Rusinë, janë të një rëndësie të madhe”,- tha Presidenti Erdoan para takimit me homologun e tij rus, Putin në Kremlin.

Të hënën Presidenti  i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan shkoi në Moskë për të marrë pjesë në sesionin e 8-të të Mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Rusi. Në pallatin e KremlinitPresidenti Erdoan u takua me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.

Në deklaratën që bëri para takimit kokë më kokë Erdogani tha se hapat që ndërmarrin dhe do të ndërmarrin në Siri, në veçanti hapat që do të ndërmarrin me Rusinë, janë të një rëndësie të madhe.

“Një hap tjetër shumë i rëndësishëm ka të bëjë me hapat që ne vazhdojmë të hedhim së bashku në solidaritet kundër akteve terroriste në rajon”,- nënvizoi Erdogan.

Kreu i shtetit turk tha se gjatë takimeve do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të bashkëpunimit dypalësh, duke shtuar se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve është rritur me 15%, por objektivi vazhdon të jetë 100 miliardë dollarë.

Kurse Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin shprehu nga ana e tij kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, në veçanti ato në fushën ekonomike.

Shkëmbimet tregtare ndërmjet Turqisë dhe Rusisë kanë arritur në 35 miliardë dollarë, u shpreh Putin dhe shtoi: “Me Turqinë kemi një bashkëpunim intensiv në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe lidhur me çështjet globale”.

Pastaj të dy liderët mbajtën takimin kokë më kokë dhe drejtuan takimin mes delegacioneve dhe sesionin e 8-të të Mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, raporton TRT.

Në deklaratën që bëri para mbledhjes Putin tha se Rusia me Turqinë, si vende garantuese të Procesit të Astanës, po bëjnë përpjekje të mëdha për uljen e tensionit në Siri.

“Morëm vendim për zhvillimin e marrëdhënieve me Turqinë në kuadër të bashkëpunimit të forcuar dhe përparuar”, tha Putin dhe shtoi:

“Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për uljen e tensionit në Siri. Krahas bashkëpunimit ushtarako-teknik një pikë tjetër e agjendës tonë është edhe përfundimi i transportit të sistemeve raketore S-400 në Turqi”.

Kurse Presidenti Erdoan nga ana e tij tha se me Rusinë kanë hedhur themelet e centralit termik Akkuyu të Mersinit (Turqi); vitin e kaluar kanë mirëpritur 6 milionë shtetas rusë, duke shënuar kështu një rekord të ri.

“Rreth 1.300 biznesmenë turq kanë bërë investime në Rusi. Objektivi ynë që shkëmbimet tregtare të arrijnë në 100 miliardë dollarë”, shtoi Erdoan.