Turqi, paga minimale rritet për 26 për qind

Sipas Institutit Turk të Statistikave, në muajin nëntor inflacioni vjetor ishte 21.62 për qind

 Turqia ka rritur pagën minimale me 26 për qind duke e rritur në 2.020 lira turke në muaj (381.3 dollarë), raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Punës, Shërbimeve Sociale dhe Familjes, Zehra Zümrüt Selçuk, tha se paga e re minimale bruto, para zbritjeve si primet e sigurimeve shoqërore dhe tatimet mbi të ardhurat, është 2.558 lira turke (482.9 dollarë).

Ajo tha se rritja e caktuar nga komisioni i pagës minimale është më e lartë se shkalla e inflacionit.

Sipas Institutit Turk të Statistikave, në muajin nëntor inflacioni vjetor ishte 21.62 për qind.

Selçuk tha se paga minimale prej 2.020 lira është për personat e vetëm dhe pa fëmijë.

“Paga minimale për personat e martuar me tre fëmijë është 2.155 lira turke (406.9 dollarë)”, shtoi ajo.

Gjatë vitit 2018, paga minimale neto në Turqi ishte 1,603 lira turke (333.33 dollarë).