Turqi, ceremoni shtetërore me rastin e 83-vjetorit të ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturk

Udhëheqësi i madh, themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk, është përkujtuar me një ceremoni shtetërore të mbajtur në mauzoleun Anıtkabir në Ankara në 83-vjetorin e ndarjes nga jeta, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kortezhin e kryesuar nga presidenti, Recep Tayyip Erdoğan ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit, Mustafa Şentop, zv.presidenti Fuat Oktay, anëtarë të kabinetit presidencial, kryetari i përgjithshëm i partisë CHP, Kemal Kılıçdaroğlu, kryetari i përgjithshëm i partisë MHP, Devlet Bahçeli, kryetarja e përgjithshme e partisë İYİ, Meral Akşener, kryetarë të organeve të larta gjyqësore, përfaqësues të partive politike, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe oficerë të rangut të lartë ushtarak.

Presidenti Erdoğan në mauzoleun e Ataturkut pasi vendosi kurorën me karafila të bardhë dhe motivet me hënë dhe yll ka mbajtur një minutë heshtje në përkujtim në orën 09:05 sipas kohës lokale, ora në të cilën ka ndërruar jetë 83 vite më parë Ataturku ndërsa më pas u intonua himni kombëtar.

Gjatë qëndrimit të nderit flamuri turk u ul në gjysëm shtizë.

Më pas në librin e veçantë të shënimeve Erdoğan ka shkruar:

“I dashur Ataturk ne sot përkujtojmë edhe njëherë me mëshirë 83-vjetorin e largimit tuaj nga jeta. Republikën që keni themeluar dhe që na e keni besuar vazhdojmë ta rrisim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë yllin e shndritshëm të rajonit dhe botës pavarësisht nga të këqijat e përfshira në veprat e pushtuesve. Përparojmë me vendosmëri në objektivat tona 2023 me sukseset historike që kemi arritur në çdo fushë, kryesisht në arsim, shëndetësi, siguri dhe industri. Nuk do të lejojmë kurrë që të cenohet integriteti i vendit tonë, ekzistenca e shtetit tonë, uniteti, paqja dhe vlerat e lashta të popullit tonë fisnik”.

Për shkak të ceremonisë në Anıtkabir u morën masa intensive sigurie. Pas ceremonisë shtetërore, mauzoleumi u hap për vizita edhe për qytetarët.

Ndërkohë, ceremoni kanë mbajtur edhe ambasadat e Turqisë në vendet e rajonit.

Në ceremoninë e mbajtur në ambasadën në Prishtinë me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), morën pjesë ambasadori turk në vend Çağrı Sakar, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, deputetët e KDTP-së Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan, si dhe përfaqësues të institucioneve turke në vend.

Ndërkaq, ceremonia përkujtimore në Shkup u organizua në rezidencën e Ambasadës së Turqisë, ku morën pjesë ambasadori Hasan Mehmet Sekizkök dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend.

Në Tiranë, organizimi nën kujdesin e ambasadës turke u mbajt në Institutin Yunus Emre Tiranë, ku krahas ambasadorit Murat Ahmet Yörük, morën pjesë edhe personeli i ambasadës dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke.

Prizren, organizohet ceremoni përkujtimore për Mustafa Kemal Ataturkun

Sot në qytetin e Prizrenit në Kosovë u mbajt program përkujtimor me rastin e 83-vjetorit të ndarjes nga jeta të Mustafa Kemal Ataturkut, themelusit të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti u organzua në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” nga ana e shoqatës kulturore turke “Filizler”.

Të pranishëm ishin kryetari i kësaj shoqate, Ferhat Derviş, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, deputetët e KDTP-së Fidan Brina Jılta dhe Enis Kervan, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, si dhe qytetarë të shumtë.

Fjalë rasti në program kishin kryetari i komunës Haskuka, si dhe ministri Damka, të cilët vendosën theksin mbi vlerat e Atutrukut.