Departamenti amerikan i Shtetit përmes një komunikate me shkrim njofton se Jeffrey turneun në vendet në fjalë do ta realizojë në datat 15-23 tetor. Takimet që do të realizojë zyrtari amerikan me autoritetet e këtyre vendeve do të kenë në fokus situatën e fundit në Siri.
Ndalesa e parë e Jeffrey do të jetë Turqia, ku krahas autoriteteve qeveritare turke është planifikuar që ai të ketë takime edhe me liderët e grupeve opozitare siriane dhe grupet e shoqërisë civile, bën të ditur e njëjta komunikatë.
Në këto takime Jeffrey gjithashtu do të flasë për vazhdimin e angazhimit të ShBA-së për një zgjidhje politike në Siri, si dhe do të masë pulsin për një platformë për zgjidhjen e krizës sipas rezolutës së Nr.2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vijon komunikata e Departamentit amerikan të Shtetit.
Kurse në takimet që do të ketë në Katar dhe Arabinë Saudite, Jeffrey do t’u përcjellë bashkëbiseduesve mendimin e tij se një sulm i çfarëdoshëm ushtarak në Idlib do ta rriste edhe më shumë tensionin në rajon dhe kjo do të rrezikonte jetët e civilëve.
Gjatë gjithë kontakteve të tij, Jeffrey do të takohet me bashkëbiseduesit sirianë, sqaron komunikata dhe nënvizon se edhe Përfaqësuesi Special i OKB-së për Sirinë, Steffan de Mistura do të mbështesë plotësisht përpjekjet për krijimin sa më shpejt të Komitetit Kushtetues për Sirinë.
James Jeffrey ka qenë ambasador i ShBA-së në Ankara dhe turneun e parë jashtë shtetit në këtë detyrë të re, që e ka filluar më 17 gusht, e kishte realizuar në datat 1-4 shtator duke vizituar Izraelin, Jordaninë dhe Turqinë. /TRT