Trump s’ka zgjidhje tjetër, duhet të paguajë gjobën 2 milion dollarë

Fondacioni Donald Trump u mbyll në 2018. Por prokurorët thonë se ai ka funksionuar për interesat e Trumpit. Bamirësi të tilla si ajo që ka drejtuar presidenti amerikan së bashku me tre fëmijët e tij, nuk mund të përfshihen në politikë, tha gjykatësja Saliann Scarpulla.

Sipas saj, Trumpi e ka “shkelur detyrën e besimit”, duke lejuar që fondet e mbledhura për veteranët amerikanë, të përdoren për zgjedhjet paraprake në Ajoa, në 2016.

“E udhëzoj Trumpin që të paguajë 2 milionë dollarë, të cilat do të shkonin te fondi i tij sikur të ekzistonte”, tha gjykatësja dhe shtoi se paratë do të shkojnë tani në tetë organizata tjera bamirëse, me të cilat shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka lidhje.

Trump u përgjigj me një postim në Twitter, duke thënë se “çdo qindarkë” e fondit të tij ka shkuar në bamirësi, transmeton tch.

“Unë jam personi i vetëm që njoh, ndoshta i vetmi në histori, që mund të japë shuma të mëdha parash për bamirësi, pa asnjë shpenzim, dhe që sulmohet nga hakerët politikë të shtetit të Nju Jorkut”, deklaroi ai.