TRT World Forum nis të mërkurën në Stamboll

Presidenti i Turqisë do të mbajë fjalimin përmbyllës në TRT World Forum, ku do të marrin pjesë udhëheqës të opinionit dhe politikëbërës nga e gjithë bota

TRT World Forum, konferencë dyditore që do të mbledhë udhëheqësit e opinionit dhe politikëbërësit nga e gjithë bota, do të fillojë më 3 tetor në Stamboll, njoftoi transmetuesi shtetëror turk, transmeton Anadolu Agency (AA).

TRT World, platforma e transmetimit në gjuhën angleze e Turqisë, tha në një deklaratë se tema e evenimentit për këtë vit është “Rimendimi i paqes dhe sigurisë në një botë të fragmentuar”.

“Transmetuesi publik i Turqisë, TRT, ka siguruar folësit kryesorë botërorë për Forumin Botëror i cili do të përfundojë me një fjalim kryesor nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan”, thuhet në deklaratën e transmetuesit turk.

Në mesin e pjesëmarrësve do të jenë Rania Al-Abdullah, mbretëresha e Jordanisë, e cila do të mbajë fjalimin kryesor mbi “Nxitjen e ndërgjegjes globale”, si dhe Ivo Josipoviç, ish-president i Kroacisë; Franco Frattini, ish-ministër i jashtëm italian, Hamid Karzai, ish-president i Afganistanit, Staffan de Mistura, i dërguari special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Siri, Ali Asghar Soltanieh, ish-përfaqësues i përhershëm i Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe Borge Brende, president i Forumit Ekonomik Botëror.

Në deklaratë është cituar Ibrahim Eren, drejtor i përgjithshëm dhe kryetar i TRT-së.

“Ne mirëpresim folës dhe mysafirë me famë. Është e përshtatshme që Stambolli të jetë vendi për një dialog të tillë të nivelit të lartë në çështjet humanitare, sepse qyteti është një urë historike midis Lindjes dhe Perëndimit dhe afërsia gjeografike me zonat e konfliktit do të thotë që Turqia po përballet me më shumë se tre milionë refugjatë”, ka thënë Eren.

Paralelisht me forumin, TRT World gjithashtu do të organizojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “World Citizen Awards”, ku të mërkurën do të ndahen mirënjohje për kontributet e veçanta individuale për njerëzimin.

Anadolu Agency (AA) është partneri global i komunikimit në këtë eveniment.