Tropojë, hapet rruga për në perlën e turizmit në Curraj të Epërm

Një nga destinicionet turistike të pashkelura në Tropojë, Curraj i Epërm, tashmë ka rrugë, falë investimit të Bashkisë së Tropojës dhe banorëve të zonës.

Një nga destinicionet turistike të pashkelura në Tropojë, Curraj i Epërm, tashmë ka rrugë, falë investimit të Bashkisë së Tropojës dhe banorëve të zonës.

Kryetari i Bashkisë Tropojë Besnik Dusha shprehet se ëndrra e një rruge për në perlën turistike të Curraj i Epërm po shndërrohet në një realitet të prekshëm, pasi ajo ka përfunduar deri në Qafë të Mrrethit!

Më tej, Dusha shton se “zbatimi i këtij projekti po bëhet i mundur me financimin e bashkisë Tropojë dhe të banorëve të fshatit Curraj i Epërm, të cilët i falenderoj me shumë mirënjohje që në radhë të parë vendosin dashurinë për vendlindjen!”.

“Një falënderim i përzemërt gjithashtu shkon për shoqatën e Nikaj Mërturit, për Unionin për Vendlindjen Curraj i Epërm dhe komisionin e grumbullimit të kontributeve për punën e tyre të jashtëzakonshme që bënë të mundur hapjen e kësaj rruge me vlera të mëdha për Malësinë e Gjakovës! Kjo rrugë do të mundësojë kthimin e njerëzve në këtë fshat të mrekullueshëm dhe do t’i japë jetë zhvillimit të turizmit në këtë zonë, një nga më të bukurat e vendit ”, shprehet Dusha.

Pak njerëz në ditët e sotme mund të kenë dëgjuar për fshatin Curraj i Epërm, e edhe më pak prej tyre kanë arritur ta vizitojnë këtë fshat.

Shtëpitë, kulla prej guri, bjeshkët e larta në të dyja anët dhe lumi i pastër si loti që përshkon mes për mes fshatin e gjelbëruar, e bën Currajn e Epërm ta fitojë epitetin e fshatit më të bukur jo vetëm në Shqipëri por edhe më tej.

Mbiemrat më të njohur në Curraj të Epërm janë: Perpepaj, Nikbibaj, Prebibaj, Mrishaj, Çokaj, Malndreaj, Gecaj dhe Ndrevataj që e shoqërojnë këtë trevë si sinore të kohës në përjetësi.

I ndodhur në një luginë magjepëse, që ndan Nikajn dhe Mërturin në rrethin e Tropojës, në veri të Shqipërisë, fshati Curraj i Epërm, apo Curraj i Epër siç e quajnë vendasit, llogaritet si njëri ndër fshatrat më të izoluar të rajonit por që përshfaq një nga pamjet madhështore të peizazhit të Alpeve, një destinacion turistik i pashkelur, perla e turizmit malor./ATSH