“Mundësi të reja për të sjellë turizëm kulturor në Voskopojë për të promovuar dhe mbrojtur monumentet e kulturës dhe idetë e para të çojnë në krijimin e një kujtese të akademisë dhe shtypshkronjës, ndërhyrje arkitektonike për unifikimin e çative me rrasa guri dhe të mureve të oborreve, vazhdimi i shtrimit me kalldrëm dhe ndriçimi i rrugicave të mbetura”, – deklaroi sot Koordinatorja Kombëtare e Programit Elda Margariti.
Ajo bëri me dije ngritjen e infrastrukturës së nevojshme jo vetëm për turistët, por për lidhjen e përditshme me fshatrat e tjerë të qarkut të Korçës.
Margariti e konsideroi të rëndësishëm edhe forcimin e identitetit rajonal, duke i dhënë forcë edhe identitetit të çdo fshati. “Për ne aktorët, fjala ç’mund të bëjmë për Voskopojën, këtë përgjigje e gjejmë tek vizioni ambicioz i rilindjes rurale, tek programi ‘100 fshatrat’, 100 modele të zhvillimi ekonomik rural që lindin nga investimet në agroturizëm dhe ekoturizëm duke shtrytëzuar dhe ruajtur trashëgiminë kulturore, mrekullitë natyrore, traditën, energjinë e pastër që i fal natyra këtij vendi, kapacitetin njerëzor dhe investimet e sipërmarrjes”.
Sipas saj, programi është një kombinim i integruar i 4 sektorëve, bujqësi, turizëm, kulturë dhe infrastrukturë. Kombinimi i tyre e bën vizionin e fshatit në të ardhmen jo vetëm një qendër e prodhimit bujqësor ose blegtoral, por një qendër turistike, një pikë graviteti nga të cilat krijohen radhë të tjera zhvillimi.
Programi i “100 fshatrave” do të zhvillohet nëpërmjet tri shtyllave.
Shtylla e parë është përmirësimi i infrastrukturës publike me anë të mbështetjes për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, rivitalizimi i hapësirave publike dhe urbane, i trashëgimisë kulturore, dhe forcimi i ndjesisë së komunitetit, krijimi i atyre qendrave komunitare multifunksionale që shtrihen përtej fshatit, që prekin edhe qarkun.
Shtylla e dytë është zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike. “Për mua ky është thelbi i këtij programi. Diversifikimi, kombinimi i të gjitha energjive dhe potencialeve të çdo fshati, përmirësim i potencialit turistik në hapësirën rurale, investime në përmirësim të shërbimeve tregtare, promovimi dhe marketimi i zonave rurale, festat etj”, – tha ajo, përcjell ATA.
Shtylla e tretë e këtij programi është zhvillimi i kapitalit social dhe njerëzor që forcon traditën, të përcillet në kohë dhe tek fëmijët tanë, nëpërmjet trajnimit profesional për të rinjtë dhe gratë, në mbështetje të trashëgimisë kulturore në mbështetje dhe promovim të traditave, grupe lokale të veprimit dhe shoqërisë civile në zonat rurale.
Potencialet e fshatrave janë të ndryshme, por kanë shumë pika takimi mes tyre.
“Kemi krijuar një hartë me të gjitha pikat e takimit të tyre, jo vetëm për t’i grupuar dhe identifikuar elementët por edhe t’i mbrojmë, promovojmë, rivitalizojmë. Kjo hartë na shërben për hapa më të shpejtë që mund të ndërmarrim që të krijojmë efektin aksion -reaksion që ne duam në terren”, – tha Koordinatorja Kombëtare e këtij projekti.