Tomas Petricek: Koha që BE të mbajë premtimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë

 Çekia mbështet çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Çekia mbështet çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Tomáš Petříček në konferencën e përbashkët për mediet në Tiranë me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, theksoi se ka pasur një sërë takimesh me homologët e vendeve të BE-së për t’i bindur për një vendim pozitiv në mbledhjen e Këshillit që do të mbahet në qershor, shkruan ATSH.

Sipas Petříček ka ardhur koha që BE të mbajë premtimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në qershor.

“Besojmë se do të kemi një konsensus për çeljen e negociatave në mbledhjen e këshillit në  qershor. Kam biseduar me një sërë partnerësh dha jam përpjekur që t’jua bëj të ditur rëndësinë që ka marrja e një vendimi pozitiv për popujt e këtyre vendeve sepse ka një mbështetje të konsiderueshme për BE nga popullsia në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëria”, theksoi Petříček.

Sipas tij, zgjerimi ka dy anë  ku duhen përmbushur premtimet.

“Duhen përmbushur dhe premtimet tona. Në aspektin praktik kam përmendur faktin se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash sidomos në gjyqësor dhe se detyrat që i kemi caktuar Shqipërisë për të bërë në pjesën më të madhe janë realizuar prandaj dhe parakushti për çeljen e negociatave është përmbushur. Do të shkoj në Francë në prill dhe do të diskutoj dhe me partnerin francez. Kam synim që të krijoj një atmosferë pozitive në mënyrë që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave”, theksoi ministri i Jashtëm çek.