Autoriteti i Mediave Audiovizive i Republikës së Shqipërisë (AMA) organizoi në Tiranë një tryezë diskutimi me temë: “Përmirësimi i raportimit në median audiovizive për të ndalur diskriminimin dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes”, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në këtë aktivitete ishin kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Salaj, kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Claus Neukirch, si dhe ekspertë të medias dhe komunikimit.
Në fjalën tij Salaj tha se kjo tryezë diskutimi organizohet në vazhdën e bashkëpunimeve që ka ky institucion me Këshillin e Evropës. “Sa më shumë të diskutohet aq më mirë është që të mos kthehet në një temë shqetësuese. AMA qaset në zbatimin e ligjit për mediat audioviziove dhe në zbatimin e kodit të transmetimit”, tha ai.
Duke folur për përputhshmërinë ligjore, Salaj tha: “Kemi dy instrumente vlerësimi, atë rast pas rasti, përmes verifikimit të ankesave të qytetarëve, përmes angazhimit të këshillit të ankesave në autoritetin e mediave. Rasti i dytë është me shqyrtimet tematike, ku angazhohet drejtoria e programacionit dhe shqyrton përmbajtjet e emetuara nga subjektet kombëtare, rajonale dhe lokale”, tha Salaj.
“Përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe qëndrimet diskriminuese në përmbajtje audiovizive është mes temave prioritare që monitorohen nga autoriteti i mediave, krahas atyre për mbrojtjen e fëmijëve, reklamave dhe komunikimeve tregtare, aspekteve etike, standardit të shqipes së folur e të shkruar. Një qasje tjetër veç zbatimit të ligjit është dhe partneriteti me organizma dhe institucione që punojnë në fushën e medias, sidomos ato audiovizive, duke u investuar në përmirësimin e raportimit nga redaksitë si dhe në mbulimin e tematikave me ndjeshmëri për opinionin publik”, deklaroi Salaj.
Në aktivitetin e organizuar me mbështetjen e projektit të përbashkët rajonal të Bashkimit Evropian/Këshilli i Evropës, “Përforcimi i Ekspertizës Gjyqësore për Lirinë e Shprehjes dhe Mediave në Evropën Juglindore (JUFREX)”, është diskutuar për disa çështje, si shkaqet e diskriminit dhe gjuhës së urrejtjes dhe mekanizmat e parandalimit të saj në mediat audiovizive, si dhe për mekanizmat e vetrregullimit në parandalimin e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.