Një 24-vjeçar që ishte në kërkim për plagosjen e një polici është arrestuar ditën e djeshme. Sipas informacioneve mësohet se i arrestuari është Daniel Manushi, që plagosi 8 muaj më parë efektivin e policisë.
Ngjarja ndodhi më 28 nëntor të vitit 2017, ku 24-vjeçari ka plagosur me armë zjarri punonjësin e policisë Ermal Bregu.
Ngjarja ndodhi jashtë një lokali në lagjen “Kongresi i Lushnjës”. Punonjësi i policisë, me detyrë agjent krimesh i Komisariatit nr.1 në kryeqytet, ishte jashtë orarit të shërbimit në momentin kur u konfliktua me 24-vjeçarin, i cili e qëlloi më pas me armë duke e lënë të plagosur.
Daniel Manushi do të përballet në gjykatë me akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Njoftimi i plotë
Kapet një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Specialistët për Hetimin e Krimit ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim policor: D. M., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin Nr. 2853, të datës 22.12.2017, ka vendosur ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi ky shtetas më datë 28.11.2017, në zonën e ish-Parkut, ka plagosur me armë zjarri shtetasin E. B
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 76, 22 dhe 278 të Kodit Penal.