Tirana me buxhetin më të madh në histori, Këshilli Bashkiak miraton listën me 1104 përfituesit e kredive të buta

Buxheti i 2019-ës për Bashkinë e Tiranës është buxheti më i madh që qyteti ka pasur në historinë e tij. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot buxhetin për vitin e ardhshëm, i cili është 12% më i lartë se ai i 2018 dhe parashikon një sërë investimesh të rëndësishme që pritet të sjellin një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturë dhe shërbime për qytetarët. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se kjo rritje vjen pa ngarkuar qytetarët e Tiranës me asnjë barrë financiare shtesë.

Buxheti i 2019-ës për Bashkinë e Tiranës është buxheti më i madh që qyteti ka pasur në historinë e tij. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot buxhetin për vitin e ardhshëm, i cili është 12% më i lartë se ai i 2018 dhe parashikon një sërë investimesh të rëndësishme që pritet të sjellin një përmirësim të ndjeshëm në infrastrukturë dhe shërbime për qytetarët. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se kjo rritje vjen pa ngarkuar qytetarët e Tiranës me asnjë barrë financiare shtesë.

“Në tre vite radhazi kemi pasur vetëm rritje, qoftë të planifikimit, qoftë të realizimit. Në vitin 2017 është shënuar realizimi më i lartë në histori prej 89% dhe 2018 pritet të mbyllet në 100%. Janë shembuj se si kjo është e mundur pa asnjë barrë të shtuar për qytetarët”, tha Veliaj. Investimet në buxhetin 2019 parashikojnë një sërë projektesh strategjike si: 1) Shkollat e Reja 2) Tirana Policentrike 3) Vazhdimi Bulevardit të Ri dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës 4) Pylli Orbital 5) Rrjeti Minimal i Bicikletave 6) Kopshti Zoologjik 7) Terminalet e Transportit 8) Rijetëzimi i Piramidës.

Një tjetër vendim tepër pozitiv ishte ai për familjet dhe çiftet e reja të pastreha. 1104 familje dhe çifte të reja të pastreha të Tiranës do të kenë mundësi që përmes programit të kredisë së butë të sigurojnë një shtëpi, duke i dhënë zgjidhje strehimit të tyre. Lajmin e mirë e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak. “Lajmi besoj më i gëzueshëm është miratimi me votën e sotme të 1104 familjeve që marrin kredi të buta, falë projektit të Bashkisë së Tiranës për t’i ndihmuar familjet e reja me shtëpinë e tyre të parë”, tha Veliaj. Ai bëri të ditur se mes përfituesve janë edhe disa prej familjeve të zonës së Astirit që preken nga projekti i Unazës së Re.

“Mes këtyre familjeve që kualifikojmë sot janë edhe familjet e prekura nga projekti i Unazës së Re, që i kanë besuar vizionit të Bashkisë së Tiranës edhe për të zhvilluar qytetin, por edhe për t’u siguruar atyre një strehim. Ndërkohë, kemi edhe një vendim tjetër për sistemimin e familjeve në banesat sociale në Shkozë, që po ashtu janë prekur nga projekti i Unazës së Re. I kam vizituar personalisht familjet dhe i kam parë si i kishin kushtet. Ju garantoj se janë më mirë në banesat sociale se sa me kasolle, mbi kanalin dhe pusetat e ujërave të zeza, aty ku ishin strehuar në 20 vitet e fundit. Siç keni dëgjuar vetë nga ata, janë si dita me natën”, shtoi Veliaj.

Fituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuar me vendim të Këshillit Bashkiak, do të përfitojnë kredi me interesa të buta për të blerë shtëpi, falë programit më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës, duke dhënë një model realist dhe efikas për zgjidhjen e problemit të strehimit në qytetin e Tiranës.

Në mbështetje të familjeve dhe të çifteve që janë të pastreha, Këshilli Bashkiak miratoi edhe vendimin për trajtimin me bonus qiraje të familjeve që nuk mund të përballojnë qiranë e tregut. Në përmbushje të vizionit për një Tiranë çdo ditë e më shumë një qytet social, një tjetër vendim i rëndësishëm i marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ishte edhe ai për kompensimin e energjisë elektrike për kategoritë në nevojë dhe, më konkretisht, individët përfitues të statusit të invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik. Gjithashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe fondin për pagesën që u jepet personave me aftësi të kufizuar dhe invalidëve të punës në territorin e Njësive Administrative nën administrimin e Bashkisë së Tiranës, si dhe vendimin “Për miratimin e familjeve aplikuese që përfitojnë nga programi i bllok ndihmës ekonomike deri në 6%”.

Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Tiranës deklaroi se Bashkia e Tiranës do të përfshihet në paktin mes qeverisë dhe studentëve për përmirësimin e kushteve të godinave në Qytetin Studenti. Veliaj deklaroi se puna ka nisur tashmë dhe ajo do të vijojë edhe në godinat e tjera.

“Liri demokracia e viteve ’90-’91, që nisi nga “Qyteti Studenti”, u përkthye në 0 investime në godinat e Qytetit Studenti. Me insistimin e kryeministrit gjatë vizitës së kancelares Merkel u negociua të kishim një fond të parë për godinat tek Inxhinieria e Ndërtimit. Kush i ka parë godinat e reja e kupton tani se me çfarë etaloni dhe cilësie do të punohet në çdo godinë. Jo vetëm kaq, por kush ka parë punën e Bashkisë së Tiranës e di që në qoftë se një gjë i kalon Bashkisë së Tiranës ajo do të shkëlqejë. Unë kam bindjen absolute se brenda 2019-s, edhe me buxhetin këtij viti, edhe me çfarë po marrim nga donatorët edhe me një projekt të ngjashëm si ai që bëmë, adopto një kopsht, adopto një çerdhe, tani edhe për konviktet, në fund të 2019 ato do të shkëlqejnë. Por edhe kjo do diskutim. Nga t’ia fillojmë? Cila është më e rëndësishmja? Bujqësori, QS, Mjekësia? Sot kemi një kantier të hapur te secila prej tyre”, tha Veliaj. Ai solli shembuj se si të afërm pranë figurave të njohura të opozitës kanë zaptuar hapësirat e studentëve duke i kthyer ato në klube apo pika lotosh.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Veliaj tha sot se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kur ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit, jo vetëm që i ka dhënë leje vetes për ndërtimin e një kati të 13-të në pallatin ku banon aktualisht, por nuk ka paguar as taksën e ndërtimit në infrastrukturë. Ai shtoi se Basha do të mbahet mend si i vetmi kryetar Bashkie i Tiranës në një qind vjeçarin e fundit që firmosi leje ndërtimi për shtesë kati mbi apartamentin e vet në kat të 13. Prova Veliaj paraqiti edhe për deputeten e PD, Jorida Tabaku, e cila ka marrë leje ndërtimi në kohën kur ishte nënkryetare bashkie.

“Basha i ka shtuar vetes katër dhoma shtesë në shkelje flagrante me ligjin. Shikoni pak si është pallati origjinal… dua të falenderoj banorët që na e denoncuan: jo vetëm i ka dhënë leje vetes, por ka ndërtuar pa leje në katër cepa të ndërtesës në majë. Shikoni pamjen. Katër struktura pa leje. Nga pamjet me dron të skicës, pallati ka formë kryq dhe ka shtuar katër dhoma. Njeriu që do të bëhet kryeministri i Shqipërisë ndërton pa leje. E kuptoni pse PD sa gjen një grup pa leje i thotë hajde protestojmë sepse kryepula do të ruajë vezët e veta”, tha ai.

Këshilli miratoi edhe vendimin për Kontrollin e Territorit dhe përcaktimin e disa kundravajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në Bashkinë e Tiranës. Në total janë 83 veprime që konsiderohen si shkelje, nga zënia në kundërshtim me rregullat të hapësirës publike; Kundërvajtjet administrative në fushën sigurisë; Kundërvajtjet administrative në fushën e qetësisë publike dhe normave detyruese të bashkëjetesës; Kundërvajtjet administrative kundër moralit publik; Kundërvajtjet administrative në fushën e mjedisit; Kundërvajtjet administrative në fushën e infrastrukturës publike; Kundërvajtje administrative nga pronarët/kujdestarët, në fushën e zbatimit të normave detyruese të sjelljes së kafshëve/shpendëve, në njësitë individuale të banimit, ambientet në bashkëpronësi dhe hapësirat publike.

Gjatë mbledhjes së sotme Këshilli miratoi edhe vendimin “Për miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018- 2020”, si dhe vendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 59 datë 30.12.2015 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”, të ndryshuar”. Këshilli Bashkiak votoi edhe vendimin “Për ngritjen e komisionit të apelimit administrativ të taksave dhe tarifave vendore pranë Bashkisë së Tiranës dhe miratimin e rregullores së funksionimit dhe organizimit të këtij komisioni”.